I mohuan të drejtën e qendrimit, shqiptari hedh në gjyq qeverinë britanike

Një shqiptar ka hedhur në gjyq qeverinë britanike. Independent shkruan se atij iu mohua e drejta për të qëndruar në Britani për më shumë se një vit si rezultat i politikës së fshehtë dhe të paligjshme së qeverisë. Shqiptari në gjykatë ka deklaruar se mohimi i së drejtës për të qëndruar në Britaninë e Madhe, shkeli të drejtat e tij njerëzore dhe ai kërkon dëmshpërblim.

Avokatët që përfaqësojnë azilkërkuesin shqiptar, i cili po mbështetet nga organizta “Asylum Aid”, i kanë thënë gjyqtarit se ka një keqpërdorim serioz të pushtetit në Britani. Ata thanë se ekzistonte një politikë që u jepte viktimave të skllavërisë moderne leje për të qëndruar në Britani, në përputhje me një Konventë Evropiane Kundër Trafikimit.

“Ky pretendim ekspozon një keqpërdorim serioz të pushtetit”, i thanë avokatët Chris Buttler KC dhe Zoe McCallum gjykatësit.

Dy avokatët thanë se në tetor të vitit 2021, vendimi i një gjyqtari të Gjykatës së Lartë kërkonte që Zyra e Brendshme t’u jepte viktimave të skllavërisë moderne leje për të qëndruar aty ku kishin një kërkesë në pritje për azil. Ata pretendojnë se ka pasur një politikë të brendshme sekrete që u thoshte zyrtarëve të mos jepnin të drejtën e lejes, gjatë kohës kur Priti Patel dhe Suella Braverman ishin në detyrë.

Nga ana tjetër, avokatët e qeverisë kundërshtojnë pretendimet. Ndërkohë që një avokat që drejton ekipin ligjor të Home Office i tha gjyqtarit se çështja ishte vonesa dhe jo politika sekrete.

“Ky rast ka të bëjë me vonesë. Nuk bëhet fjalë për politika sekrete apo të pa publikuara”, tha ai.


Shtuar 30.11.2023 21:12