I mituri u plagos nga bashkëmoshatari në Durrës, spitali: Zemra kishte dy çarje nga 2 cm, po trajtohet në Reanimacion

Këtë të mërkurë, një 15-vjeçar u plagos rëndë me thikë pranë zemrës, gjatë një sherri mes disa gjimnazistëve të tjerë në Durrës.

Spitali Rajonal i Durrësit, njofton se ndaj të miturit është realizuar një ndërhyrje e vështirë, por fatmirësisht 15-vjeçari aktualisht po trajtohet në Reanimacion në gjendje të stabilizuar.

“Një 15-vjeçar mbërriti në urgjencë në gjendje tejet kritike, me plagë të shumta penetruese dhe organe të dëmtuara nga mjeti prerës. Zemra kishte dy çarje nga 2 cm me tamponadë kardiake, ndërsa në regjionin e corpus ventrikuli u konstatua një çarje 3 cm në stomak. Gjendje kufi.

U fut menjëherë në sallë dhe ekipi kirurgjikal realizoi një ndërhyrje të vështirë, ku u menaxhuan dëmtimet jetike dhe u rikthye stabiliteti hemodinamik. Reagim i shpejtë, i pastër, pa humbur asnjë minutë.

Mirënjohje për kirurgët F. Shini dhe E. Demiraj, si dhe për anestezistin A. Banushi, që e çuan rastin drejt suksesit me profesionalizëm dhe qetësi operative. Pacienti aktualisht po trajtohet në Reanimacion në gjendje të stabilizuar”, thuhet në njoftimin e spitalit.


Shtuar 26.11.2025 14:12