I mbaruan 100 ditët që Rama i dha afat, a do të shkarkohet Ardi Veliu?

Kreyministri Edi Rama i dha 100 ditë afat, Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, për të luftuar krimin dhe për të rritur sigurinë në vend.

“Unë dua t’ju them se keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë, vetëm 100 ditë! Që qytetarët të marrin frymë shumë të plotësuar, duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me një të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, që dini t’i bëni mirë, se ndaj jeni zgjedhur, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin dhe policinë e tyre. Kjo duhet bërë në respektin e vetes, të masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe që nuk ka pse i paguan kostos një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe që duhet të shkojë para drejtësisë. Në çdo qark, në 100 ditë, duhen dhënë shembujt e qartë, që nuk ka polici pa ndëshkueshmëri. Ju nuk e keni fare problem t’i gjeni, t’i kapni për krahu e t’i çoni para drejtësisë. Ky është një objektiv i palëvizshëm. Në çdo qark, policë rrugorë, komisarë, shqiponja, skifterë, qakej, që rrinë si të infiltruar brenda trupit, duhet të shkojnë para drejtësisë”, deklaroi Rama në korrik.

Ky paralajmërim i Ramës është dhënë me 8 korrik, dhe nga ajo kohë deri më tani janë plotësuar 89 ditë, ndërsa siguria në vend nuk duket të jetë rritur.

Mjafton dita e djeshme, ku u ekzekutuan me armë dy persona në Elbasan, për të kujtuar se grupet kriminale po “lulëzojnë” në vend. Ndërsa akoma nuk janë identifikuar dhe kapur autorët.

Gjithashtu po dje, një avion sportiv u rrëzua në Vershmosh, Malësi e Madhe, ku dyshohet se kishte ardhur nga Mali i Zi në Shqipëri, për të marrë drogë.

Para pak ditësh, u vra gjatë një operacioni anti-drogë nënkomisari Saimir Hoxha, dhe lista vazhdon.

Veliut  i kanë mbetur dhe 11 ditë, dhe pyetja që të gjithë kemi është: A do të shkarkohet?

Kjo pritet të mësohet në vijim./albeu.com


Shtuar 5.10.2021 14:00