Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë, ka mahnitur administratën e Donald Trump-it me stilin e tij të ri të veshjes. Mediat amerikane kanë zbuluar se pas këtij transformimi qëndron stilisti i njohur Viktor Anisimov.
Ndryshe nga vizita e tij e para dy viteve, kur Zelensky u kritikua ashpër për faktin se nuk kishte veshur kostum, këtë herë ai mori edhe vlerësime nga disa prej gazetarëve që dikur e kishin sulmuar më së shumti për pamjen e tij.
Në një intervistë për Washington Post, stilisti Anisimov tregoi se ai e ka veshur Zelenskyn për më shumë se 20 vite, që nga koha kur ky i fundit ishte aktor. Pikërisht ai është njeriu që e bindi presidentin ukrainas të zëvendësonte bluzën e tij të zakonshme ushtarake me një xhaketë solemne, e cila bëri përshtypje të madhe edhe te Trump.
“Me presidentin po punojmë intensivisht prej gjashtë muajsh. Procesi është i thjeshtë: unë krijoj diçka, në fillim e koordinoja çdo detaj, por tani shkojmë bashkë në takim dhe ai më thotë çfarë i pëlqen e çfarë jo. Ato që i pëlqejnë i mban, të tjerat më kthehen mua. Madje javën e kaluar më nënshkroi një kostum që nuk i përshtatej, dhe unë e futa në koleksionin tim personal”, tregoi Anisimov.

Ai u ndal edhe te kritikat e mëparshme që Zelensky mori në shkurt për mënyrën e tij të veshjes. “Njerëzit nuk u turpëruan nga presidenti apo nga rrobat e tij. Nuk ishte problemi pse të tjerët nuk e kuptonin, por pse gjërat e dukshme nuk u panë. Këtë ‘element shpërthyes’ tani e kemi zgjidhur në Washington. Falë Zotit që Trumpit i pëlqeu pamja e tij dhe, më e rëndësishmja, dëgjoi presidentin tonë”, tha stilisti.
Anisimov shtoi se puna me Zelenskyn nuk është aq e ndërlikuar sa duket. “Detyra kryesore ishte ruajtja e imazhit të tij si president në kohë lufte – pra të mbetej në linjën e stilit ushtarak, por duke zëvendësuar ngjyrën e gjelbër me të zezën dhe duke shtuar disa elemente modernë e elegantë”, shpjegoi ai.
Në fund, stilisti theksoi se, megjithëse moda e presidentit shpesh komentohet, ka gjëra shumë më të rëndësishme. “Ukraina pret paqen, dhe ajo që dikush vesh ka shumë pak rëndësi. Historia shpesh përsëritet: para 20 vitesh kaluam nga bluzat te kostumet klasike për trupën komike ku ishte edhe Zelensky. Sot, shpresoj që kalimi nga bluza ushtarake në një kostum tradicional të simbolizojë ardhjen e paqes për të gjithë ne”, përfundoi Anisimov.