I humbur prej 28 qershorit, gjendet i pajetë i moshuari nga Devolli, për çfarë dyshohet

Pas më shumë se një jave kërkimesh, është gjetur pa shenja jete 70-vjeçari Jashar Spaho, i cili ishte raportuar i zhdukur nga familjarët që prej datës 28 qershor.

Trupi i të moshuarit u gjet këtë të merkurë në lumin Devoll, në segmentin midis fshatrave Tren dhe Bitinckë.

Familjarët kishin apeluar edhe në media për ndihmë në përpjekje për ta gjetur, por fatkeqësisht kërkimet përfunduan tragjikisht.

Sipas burimeve nga policia, aktualisht po hetohet në dy pista kryesore: ajo e vetëvrasjes dhe e një aksidenti të mundshëm që ka çuar në rënien e tij në lumë.

Trupi i pajetë është dërguar në morg për ekspertizë mjeko-ligjore, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.


Shtuar 9.07.2025 12:17