I futet në makinë dhe i vendos armën në brinjë, studenti merret peng në mes të Tiranës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një student është rrëmbyer në mes të kryeqytetit duke i vënë armën në brinjë. Burime nga Policia bëjnë me dije për abcnews.al se ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në rrugën e Kavajës, ku një i panjohur i është futur të riut në makinë dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar të vijojë rrugën duke i thënë se do ta vriste. Rreth një orë më pas, i riu ka mundur të shpëtojë nga pengmarrësi, por edhe pse kanë kaluar disa ditë, policia nuk ka mundur të gjejë asnjë gjurmë të kriminelit.

Pengmarrja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mes të ditës në njërën prej rrugëve më të rrahura të kryeqyteit siç është Rruga e Kavajës. Vetëm 300 metra më tej, në vijë ajrore ndodhet Komisariati nr.2 i Policisë së Tiranës.

Burime të abcnews.al bëjnë me dije se studenti 20-vjeçar ishte duke pritur një mikun e tij me makinë në krah të Rrugës së Kavajës, kur papritur në vendin e pasëm të pasagjerit i është futur me shpejtësi një person i panjohur. Duke mos i dhënë kohë të reagojë, personi i panjohur i ka vënë atij armën nën brinjë duke i kërkuar të lëvizte nga ai vend. I trembur dhe nën kërcënimin e armës, 20-vjeçari ka lëvizur makinën duke iu bindur pengmarrësit.

Me tytën e pistoletës përballë, i riu në vendin e shoferit dhe pengmarrësi në vendin e pasëm të pasagjerit kanë bërë disa kilometra me makinë në rrugët plotë trafik dhe policë në kryeqytet, por askush nuk ka mundur të kuptojë asgjë. Mësohet se gjatë gjithë kohës, 20-vjeçari është kërcënuar nga pengmarrësi se do ta vriste atë si edhe policin e parë që u dilte para nëse ai bënte ndonjë “çmenduri”.

Siç mëson abcnews.al, makina e marrë peng rezulton të jetë futur nga Rruga e Kavajës për në Unazën e Tiranës, Rruga Muhamet Gjollesha në drejtim të Zogut të Zi. Më pas ata kanë kaluar në drejtim të Laprakës për të shkuar në zonën e Kamzës.

Shpëtimi

Gjatë kohës që ndodhej në makinë, pengmarrësi i ka kërkuar të riut që të hiqte të gjitha kodet nga celulari i tij si edhe t’i dorëzonte portofolin, orën dhe të gjitha sendet e tjera me vlerë. Pasi i ka marrë këto, ai e ka drejtuar të riun për në Kamzë ku pasi është futur në disa rrugica aty pranë, i ka thënë të hapë xhamin me qëllim që ta nxirrte direkt nga makina.

Për një moment, pengmarrësi ka dalë nga makinë për të shkuar nga vendi i pasëm i pasagjerit për në vendin e shoferit, por pikërisht aty i riu i ka dhënë gaz makinës duke u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Denoncimi

Pasi përjetoi këtë situatë të frikshme, burime bëjnë me dije se i riu dhe të afërmit e tij i janë drejtuar Komisariatit nr.3 në Tiranë për të bërë denoncimin. Pas marrjes së dëshmisë së tij, policia ka filluar të verifikojë kamerat e sigurisë për të gjetur ndonjë detaj që mund të çonte në zbulimin e pengmarrësit, por edhe pse kanë kaluar pesë ditë, deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Ky është një nga ato raste të konfirmon se niveli i kriminalitetit është tepër i lartë në Shqipëri, ku askush nuk mund të ecë lirshëm në rrugë pasi në çdo moment dikush mund të vijë dhe të të marrë peng apo të të grabisë në mes të qytetit pa ia bërë syri “tërr” nga policia.


Shtuar 15.04.2022 12:45