Këngëtarja Anisa Veseli ka ndarë sot me ndjekësit një lajm të dhimbshëm që e ka prekur thellë emocionalisht.
Projekti i saj muzikor “Vetmia”, një ndër këngët më personale dhe të dashura për të, është fshirë papritur nga platforma YouTube, pa asnjë njoftim apo sqarim zyrtar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veseli shprehet e prekur dhe e trishtuar nga kjo situatë, duke theksuar lidhjen e veçantë që kishte me këtë këngë.
“Sot jam shumë e prekur dhe e trishtuar… Kënga ime ‘Vetmia’ është fshirë nga YouTube dhe nuk e di ende arsyen pse ka ndodhur kjo. Ka qenë një nga këngët më të dashura për mua, sepse kam punuar me shpirt dhe mund për ta sjellë atë tek ju”, shkruan ajo.
Këngëtarja bën të ditur gjithashtu se i gjithë kanali ku ishte publikuar kënga është zhdukur, duke e lënë atë pa asnjë informacion mbi shkaqet apo përgjegjësit.
“Ajo këngë mbart emocione të thella dhe një pjesë shumë personale të shpirtit tim. Fatkeqësisht, kanali ku kënga ime ka qenë prezente është zhdukur dhe ende nuk kam informacion zyrtar”, shprehet më tej Veseli.
Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova e përmbyll mesazhin e saj me një thirrje të sinqertë për rikthimin e këngës dhe me falënderime për të gjithë ata që e mbështesin në këtë moment.
“Shpresoj me gjithë zemër që gjithçka të kthehet siç ka qenë dhe ‘Vetmia’ të jetë sërish aty ku i takon – pranë jush. Faleminderit të gjithëve që më shkruani dhe më qëndroni pranë. Ju dua fort”.