“I forti” i Niklës mori përpara 9 makina duke iu arratisur “Shqiponjave”, policia “zbarkon” në Fushë Krujë/ Arrestohet një tjetër person

Pas arrestimit të 31-vjeçarit Imer Krrashi ditën e sotme në afërsi të Saukut, forca të shumta policie kanë ‘zbarkuar’ në Fushë-Krujë duke kryer një operacion të posaçëm. Burime për media kanë bërë me dije se deri më tani një tjetër person ka rënë në pranga, por ende nuk ka të dhëna për identitetin e personit dhe rrethanat e arrestimit.

Imer Krrashi alias Imer Masha njihet si i ‘forti i Niklës’, si person i afërt me Marklen Hakën dhe Edison Pulën. Këta të fundit pjesë e grupit të Niklës, një nga bandat më të rrezikshme në zonë. 31-vjeçari gjithashtu rezulton i dënuar më parë në Itali për vjedhje.

Imer Krrashi tentoi t’i arratisej forcave ‘Shqiponja’ pasi u ndalua për kontroll në zonën e Liqenit të Thatë. Me vete në automjet ai kishte armë zjarri.

Në tentativë e sipër për tu arratisur, Krrashi përplasi 9 makina si dhe një motor ku po udhëtonte një polic, i cili ishte jashtë shërbimit, së bashku me bashkëshorten e tij.

Kjo e fundit është në gjendje të rëndë shëndetësore. Nuk dihet nëse i arrestuari ka lidhje me Imer Krrashin ndërsa më tepër detaje priten të bëhen publike në vijim.


Shtuar 5.10.2025 19:28