Ermal Meta ka pezulluar datat e ardhshme të koncerteve të tij për arsye shëndetësore. Fituesi i Festivalit të Sanremos 2018 përmes disa postimeve në kanalet e tij sociale, fatkeqësisht iu desh t’u jepte fansave lajmin e keq.
“Pjesë të ndryshme të fytyrës dhe kokës sime janë fryrë prej disa ditësh. Në fillim mendova se mund të ishte një tip alergjie, por nuk është kështu. Dje në mëngjes u zgjova më keq se zakonisht dhe sot në mëngjes njësoj”, tha këngëtautori në Instagram.
Për shkak të kushteve të tij shëndetësore ende të pasigurta, këngëtari u detyrua të anulonte angazhime të ndryshme pune dhe faza të ndryshme të koncerteve të tij.“Me ngurrim më duhet të anuloj takimet e Peschici dhe Giffoni pasi duhet të kuptoj dhe mbi të gjitha, të zgjidh situatën. Më vjen shume keq. I kërkoj falje organizatorëve të eventit dhe fansave. Do të shihemi së shpejti.”