I dha fund jetës duke u djegur në makinën e tij, ky është ish-polici Artjon Xhelo/ Si problemet me depresionin u bën shkak për largimi nga puna të 32-vjeçarit

Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme (15 dhjetor) në vendin e quajtur “Qafa e Llogarasë”, ku një person është gjetur i pajetë dhe i djegur brenda automjetit të tij.

Sipas informacioneve paraprake, viktima është Artjon Xhelo, 32 vjeç, banues në fshatin Banaj të bashkisë Dimal, ish-punonjës i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat. Ai u gjet rreth orës 14:35, i djegur në sediljen e shoferit të automjetit të tij tip BMW.

Artjol Xhelo ka shërbyer për disa vite në DVP Berat si pjesë e Forcave Operacionale “Shqiponjat”. Në vitin 2023, sipas burimeve, ai kishte shfaqur probleme të theksuara të shëndetit mendor, kryesisht depresion, çka solli largimin e tij nga Forcat “Shqiponja” dhe transferimin në Postën e Policisë Poliçan.

Më pas, pas një ngjarjeje ku raportohet se i kishte humbur arma e shërbimit, ndaj tij u mor masë disiplinore, e cila çoi në përjashtimin e tij nga radhët e Policisë së Shtetit. Burime të brendshme bëjnë me dije se Xhelo vuante nga probleme të rënda psikologjike.

Mësohet se para se t’i jepte fund jetës, i riu ka komunikuar me familjarët, të cilëve u ka thënë: “Nëse nuk gjej punë, nuk kthehem më sot në shtëpi”

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave. Megjithëse hetimet janë ende në fazë paraprake, dyshohet se 32-vjeçari i ka dhënë fund jetës brenda automjetit të tij.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare përfundimtare, ndërsa priten rezultatet e ekspertizës dhe veprimeve hetimore.


Shtuar 15.12.2025 22:22