Dritan Dajti, i dënuar me burgim të e përjetshëm për vrasjen e katër policëve në Durrës ka bërë një tjetër përpjekje për lirim nga burgu.
Dajti ka depozituar një kërkesë me anë të avokatëve të tij në Gjykatën e Elbasanit, ku kërkon që të konstatohet pavlefshmëria dhe pamundësia për ekzekutimim e vendimit të Gjykatës për Krimet e Rënda të korrikut 2014, vendim me të cilin ai u la në burg përjetë.
Raportohet se Dajti pretendon se vendimi i dhënë është i pavlefshëm, për shkak se i mungojnë nënshkrimet e katër anëtarëve të trupit gjykues.
Gjithmonë sipas pretendimeve të vetë Dajtit, urdhri i ekzekutimit të prokurorit për ekzekutimin e këtij vendimi nuk ekziston.
Më datë 11 qershor të vitit 2024, Gjykata e Lartë prishi dënimin e Apelit për dënimin me 25 vite të Dajtit, duke e lënë në burg përjetë.
Më herët, Dajti i është drejtuar Gjykatës së Elbasanit, duke kërkuar lirimin nga qelia, pasi sipas tij, e ka konsumuar dënimin me 25 vite burg dhe se prej datës 17 gusht 2024, po qëndron në qeli në kundërshtim me ligjin.