I dënuar me burg përjetë/ Aldo Bare kërkon uljen e masës për sjellje të mirë

Ish-kreu i bandës famëkeqe të Lushnjës, Aldo Bare vijon betejën e tij për të kërkuar ulje të dënimit për sjellje të mirë gjatë qëndrimit në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Avokati i tij, Oligert Kume tha se në seancën e kësaj të premteje në gjykatën e Elbasanit, administrata e burgjeve dorëzoi më në fund raportin për vlerësimin e sjelljes së Aldo Bares, por mbrojtja kërkoi shtyrjen e seancës duke dashur të ishte njohur më parë me këtë akt.

“Kjo është një ndër seancat gjyqësore lidhur me kërkesën ligjore të Aldo Bares për ulje dënimi. I mbrojturi ka parashkruar një sërë kërkesash për ulje dënimi. Konstatojmë dhe vërejmë se nga Administrata e Burgjeve nuk i vihen në dispozicion aktet apo vlerësimi i sjelljeve. Sot, është shtyrë për shkak se paraqitja e provave ju vu vetëm Gjykatës dhe normalisht duhet koha e duhur. Ne i kemi adresuar prej kohësh administratës së burgjeve, për mosvënien në dispozicion të këtyre pamjeve me argumente paradoksale- tha avokati.

10 vite pas vendimit të marrë nga Apeli në 2012-ën, Gjykata e lartë, në dhjetor të 2022-shit, la në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm. Gjykata e Lartë e kishte shqyrtuar një herë çështjen e Bares por ishte Gjykata Kushtetuese ajo që e ktheu për rigjykim për shkak se gjeti shkelje procedural. Ndërkohë nga avokati Oligert Kume ka thënë se trupa mbrojtëse e Aldo Bares do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese pasi sipas tij trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë që sipas tij ka marrë vendim të paligjshëm në Dhomën e Këshillimit, duke mos e respektuar një vendim të mëparshëm të Kushtetueses. Gjithashtu është depozituar ankesë në ILD për shkelje të ushtrimit të detyrës pasi nuk është zbatuar Vendimi nr 27 i vitit 2017 i Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se do t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese dhe nëse ajo nuk e merr në shqyrtim do i drejtohen Strasburgut.

“Në datën 22 dhjetor 2022 nga Gjykata e Lartë në dhomë këshillimi pa prezencë të palëve është marrë një vendim absurd juridik, sepse është shkelmuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2017 që urdhëronte Gjykatën e Lartë të merrte në shqyrtim dhe njëherë këtë çështjes duke mos i mohuar të drejtën palëve për t’u përfaqësuar dhe bërë një mbrojtje. Është përdhosur një vendim duke bërë një puç kushtetues sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë akte që detyrojnë çdo gjykatë t’i zbatojë.

Trupa gjyqësore që nuk kishte as kualifikimin e duhur për këtë çështjes, pasi dy prej anëtarëve nuk kanë pasur specializimin e duhur. Ata në një hark kohor të shkurtër kanë lënë në fuqi dënimin kapital. Në do të ndërmarrim hapat tona të nevojshme. Ne do të shkojmë sërish në Gjykatën Kushtetuese, do të njoftojmë edhe ILD-në dhe do të kërkojmë hetim disiplinor. Në Gjykatën Kushtetuese do kërkojmë sërish rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë pasi na janë mohuar të drejtat për mbrojtje, të pavlefshmërisë së provave. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do ta marrë në shqyrtim do t’i adresohemi Gjykatës së Strasburgut për të drejtat e njeriut”, deklaroi avokati i Aldo Bares”, tha avokati i Aldo Bares.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me burg të përjetshëm në shtator të 2022, për Aldo Baren, ish kreun e bandës famëkeqe të Lushnjës. Ky vendim erdhi 10 vite pas vendimit të marrë nga gjykata e Apelit në 2012-tën. Bare bëri rekurs të vendimit me burgim të përjetshëm.

Gjykata e Lartë e kishte shqyrtuar një herë çështjen e Bares por ishte Gjykata Kushtetuese ajo që e ktheu për rigjykim për shkak se gjeti shkelje procedurale. Aldo Bare u arrestua në Turqi në vitin 2006. Ndërsa kërkesa për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë u pranua në fundin e vitit 2009 kur ish kreu i bandës kriminale të Lushnjës mbërriti me charter në Aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ nën mbikëqyrjen e forcave të shumta të sigurisë.


Shtuar 15.09.2025 16:30