I dënuar me 14 vite burg për vrasje me paramendim, shqiptari ekstradohet nga Luksemburgu (EMRI)

Policia e Shtetit ka ekstraduar nga Luksemburgu shtetasin shqiptar Edison Pula, i kërkuar për vepra të rënda penale në Shqipëri, ndër të tjera edhe për vrasje me dashje.

Pula është anëtar i bandës së Niklës. Ai është akuzuar për atentatin me eksploziv ndaj Gentjan Bejtjas në Larushk dhe për një sërë veprash të tjera penale.

Njoftimi:

Policia e Shtetit

Finalizohet një tjetër operacion, në koordinim me partnerët, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.

Operacioni “Together”, në pranga 1 shtetas i dënuar me 14 vjet burgim, për disa vepra penale të rënda, dhe 1 shtetas i akuzuar nga autoritetet franceze.

Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (FAST Albania), mbi vendndodhjen e një shtetasi të dënuar në Shqipëri, për disa vepra penale të rënda, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve me homologët e FAST Luksemburgut, nëpërmjet koordinimit të rrjetit ENFAST, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Together”.

Si rezultat i këtij operacioni, u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi Edison Pula, 30 vjeç, i lindur në Krujë, i dënuar me 14 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.

Më tej, gjatë këtij operacioni, në bazë të një urdhër arresti europian, të lëshuar nga autoritetet franceze, u vu në pranga shtetasi A. S., 31 vjeç.

Zyrat homologe të Interpolit po vijojnë bashkëpunimin, për finalizimin e procedurave të ekstradimit të këtyre shtetasve.


Shtuar 5.02.2025 11:48