I dehur në timon shkaktoi aksident në Korçë, prangoset shoferi! 17-vjeçarja në gjendje të rëndë

Pas aksidentit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Korçë-Devoll, është arrestuar shoferi i mjetit tip Renault.

Ai dyshohet të ketë qenë edhe shkaktari I aksidentit me disa të plagosur, pasi ka qenë I dehur gjatë drejtimit të mjetit.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të informacionit paraprak datë 05.04.2022, i cili bën fjalë për një aksident rrugor ju informojmë se:

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë, në vijim të veprimeve procedurale të kryera, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit J. L., 51 vjeç, banues në Korçë dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin B. C., 35 vjeç, banues në fshatin Plasë, Maliq.

Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor Korçë-Devoll, në kryqëzimin e fshatit Plasë, Maliq, shtetasi J. L., duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Renault”, është përplasur me mjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin B. C. dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i mjetit tip “Toyota” shtetasi B. C;  pasagjeri i mjetit tip “Renault” shtetasi A. M., 58 vjeç, banues në Korçë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, si edhe shtetasja J. E., 17 vjeçe, banuese në Pogradec, pasagjere në mjetin tip “Toyota”, e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.