Ngjarja e rëndë në masivin e kromit në Klos, ka përlotur babain e 29-vjeçarit, Nerim Beshiri, i cili apeloi për ndihmë të specializuar nga shtetit për gjetjen e trupit të tij.
Ai rrëfeu se ka 3 ditë që së bashku me familjarët e tij, kërkojnë trupin e 29-vjeçarit me lopata dhe mjete rrethanore në mungesë të aparaturave të specializuara.
“Kërkoj ndihmë nga shteti për gjetjen e trupit të djalit. T’i gjejnë vetëm njërin gisht ta çoj te familja ,se nuk ka gjë më të madhe në botë të humbasësh djalin në mal. I bëj thirrje shtetit, të sjellin aparatura të specializuara të gjej djalin dhe të di ku të hedh një tufë lule. Ka 3 ditë që vij me vëllezërit duke kërkuar me lopatë.
Nuk ka asnjë lloj mjeti. Djali doli në 6 të mëngjesit nga shtëpia këtu, hëngri drekën dhe vazhdoi punën me ekskavator dhe e mori baseni para. Djali kishte 5 vite që punonte, me siguracione, me të gjitha.
Nuk kanë si ta gjejnë djalin me lopata, ndaj i kërkoj shtetit ndihmë për mjete të specializuara. Babai, vëllai im tjetër po kërkojnë trupin. Ju lutem kërkoj ndihmë. Kaq mund të them”, u shpreh ai.