Drejtori i agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve të Integruara (ADISA), Lorin Ymeri nuk ka asgjë për të thënë për hetimin e ngritur nga SPAK ndaj babait të tij, ish-zyrtarit të lartë të SHISH, Frederik Ymeri i dyshuar si kreu i një celule spiunazhi që ka vënë informacione sekrete në shërbim të agjenturave jo mike.
I pyetur nga gazetarja e Express për Shqipërinë Beklie Koltraka, Lorin Ymeri u shpreh se nuk ka asgjë për të thënë për këtë hetim të nisur nga SPAK. “Nuk ka asgjë për të thënë për këtë”, tha ai.
Express: Babai juaj zoti Frederik Ymeri është nën hetim nga SPAK për akuzën se ka shitur informacione sekrete te vendet jo mike? Çfarë keni për të thënë këtë akuzë?
Lorin Ymeri: Nuk kam asgjë për të thënë për këtë.
Express: Ai akuzohet si kreu i celulës së spiunazhit dhe koordinonte grupin duke siguruar informacione konfidenciale dhe sekrete nga institucione të administratës. Ju keni qenë në krye të Adisa-s prej 4 vitesh, a kanë qenë të sigurta të dhënat nisur nga lidhja familjare që keni? A deklaroni se nuk jeni i përfshirë?
Lorin Ymeri: “Nuk kam lidhje, nuk ka asgjë të vërtetë”, u shpreh ai për Express.
A keni diskutuar me babanë tuaj për këtë hetim, cfarë ju ka thënë? A mendoni se është i pafajshëm? Ishin këto disa pyetje të tjera që nuk morën përgjigje nga Lorin Ymeri i cili vendosi ta shkëpusë komunikimin.
Ishte një hetim i SHISH që ka vënë në lëvizje edhe SPAK-un në lidhje me celulën e spiunazhit në shërbim të agjenturave jo mike. SPAK kishte nisur hetimet për 4 ish zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një të Policisë së Shtetit Frederik Ymerin, Gjergji Kotin, Bashkim Abazin, Luftar Cunaj dhe Maksim Ferrën. Ata akuzohen për nxjerrje të informacioneve sekrete që dëmtojnë interesat e shtetit shqiptar.
Frederik Ymeri konsiderohet si kreu i celulës së spiunazhit dhe koordinonte grupin në fjalë duke siguruar informacione konfidenciale dhe sekrete nga institucione të administrates. Pyetja që ngremë është sa të sigurta kanë qenë të dhënat e shqiptarëve për shkak të lidhjes familjare.
Theksojmë se Lorin Ymeri gjendet prej katër vitesh në krye të institucionit që administronte deri para pak javësh thuajse të gjitha shërbimet që ofron administrate shqiptare, duke filluar nga lejet e ndërtimit, certifikatat e ndryshme, gjithçka mbi pensionet, sigurimet shoqërore, pagesa të ndryshme, administrimi i territorit deri te të dhënat mbi ushtrinë.
ADISA ka mundësuar të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve duke administruar të gjitha “sekretet” e shtetit shqiptar dhe qytetarëve të këtij vendi deri më datë 1 maj të këtij vitim, ditë në të cilën u mbyllen sportelet e saj pasi tashmë gjithçka ofrohet nga e-Albania. Pra, deri në 1 maj ADISA ka administruar të gjithë databazën që ka sot e-Albania.
SPAK thotë se deri tani, nga hetimi, nuk janë arritur të sigurohen të dhëna konkrete në lidhje me destinacionin përfundimtar të këtyre informacioneve, por dyshohet se kjo veprimtari cënon sigurinë kombëtare në formën e spiunazhit.
Megjithatë, institucioneve përgjegjëse iu duhet të verifikojnë nëse celula në fjalë ka patur apo jo akses në databazën e të dhënave të ADISA-s, e cila në fakt ka administruar të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me çdo shtetas shqiptar si edhe çdo dokument mbi institucionet publike të këtij vendi./GazetaExpress