I akuzuar për vrasjen e Santiago Malkos/ Flet nëna e ish-policit: Leonard Duka të dënohet me vdekje, ja sa vite kërkon SPAK

Ditën e sotme, është mbajtur në GJKKO seanca e radhës gjyqësore për Leonard Dukën, i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e ish policit Santiago Malko në vitin 2019.

SPAK ka kërkuar për të 32 vite burg, ndërsa gjykata pritet ta shpallë vendimin më 21 janar, ora 11:45.

E ëma e ish-policit ka deklaruar në seancë se, Leonard Duka duhet të dënohet me vdekje.

“Leonard Duka më ka vrarë djalin. Me solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe me tha që s’kam gjë me Santin, por doli e me vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, avokatja e Dukës, Melina Gjata, deklaroi se nuk ka asnjë provë kundër tij, por deduksione të krijuara nga një proces hetimor që sipas saj nuk është i plotë dhe se është bazuar në histori në media.

Avokatja Melina Gjeta: Konkluzionet e SPAK nuk janë të bazuara në provë dhe ligj. Ska aanjë provë, por vetëm deduksione të krijuara nga një proces hetimor jo i plotë dhe i paragjykuar, më shumë të bazuara në histori të raportuara në media. Dëshmitari Blendi Teta, ka deklaruar para gjykatës që është kërcënuar dhe vënë në presion nga Polici e Shtetit dhe Ervis Martini dhe këto janë shkelje të rënda të ligjit. Dëshmia nuk i shërben me të vërtetës, por fabrikim të provës. Dëshmia e Tetës i cili pretendon në Gjykatë se e ka dhënë në presion nga Ervis Martini, nuk mund të përdoret nga Prokurori në konkluzione përfundimtare. Dëshmia e Blendi Tetës konfirmohet edhe nga ajo e Ilir Selmanit, të bashkëpandehurit tjetër. Duke i bërë ato të besueshme. Edhe Selmani ka thënë para kësaj gjykate se janë dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka.

Prokuroria thotë se shkak për vrasjen është bërë hakmarrja për dy plagosje që dyshohet se ka kryer viktima Santiago Malko, por ato ngjarje janë ende pa autor dhe hetuesit i kanë pezulluar procedimet pasi nuk kanë gjetur autorët. Si mundet prokurori të përcaktoj autorin e atyre ngjarjeve, ndërkohë që personat kompetent qe i kanë hetuar nuk i kanë identifikuar. Transkripetet e Sky nuk janë prova të ligjshme dhe rezultatet e nxjerra nga to janë të paligjshme sipas legjislacionit shqiptar. Ato hyjnë më cënimin e lirisë dhe fshehtësisë së korrespondëncës. Përgjimi i autoriteteve franceze përbën përgjim masiv, ska qenë i orientuar. Identifikimi i bërë nga opgj të kodeve, ka qenë amator dhe jo i besueshëm, pasi nuk është ndjekur procedura standarte. Vetë Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se ai nuk ka pasur në përdorim aplikacionin Sky.

Leonard Duka: Deklaroj që jam i pafajshëm dhe Prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo ëshyë e montuar nga policia që tmë dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia.


Shtuar 19.01.2026 12:09