Hysaj denoncon skandalin në Durrës: Te shkolla “Kushtrimi i Lirisë” u kërkohet prindërve të paguajnë nga 10 mijë lekë shtesë për mirëmbajtjen e saj

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe njëherësh Sekretare e Marrëdhënieve me Publikun në selinë blu, Jola Hysaj ka reaguar lidhur me atë që ajo e cilëson si vjedhjen e fondeve të rindërtimit të shkollave që u dëmtuan nga tërmeti tragjik i pesë viteve më parë.

REAGIMI I JOLA HYSAJT

As paratë e BE nuk mjaftojnë?!!!  Vjedhjet e xhepave të qytetarëve nuk kanë të sosur!

Teksa në shumicën e rasteve qeveria e Edi Ramës dhe bashkitë e tij e kryejnë këtë akt vandal duke u fshehur pas ligjeve që vet miratojnë, pjesë e kësaj skeme vjedhjeje, i shtohen edhe shkollat, por me një tjetër formë.

Sot dua të denoncoj publikisht një abuzim të rëndë që po ndodh në qytetin e Durrësit.

Përmes një institucioni që duhet të jetë simbol i dijes dhe edukimit – shkolla 9-vjeçare sic është shkolla “Kushtrimi i Lirisë”.

Në vend që kjo shkollë të kontribuojë në formimin e brezave të ardhshëm, ajo po përdoret për të legjitimuar vjedhje të hapur dhe pa turp.

Pas tërmetit të vitit 2019, shkolla “Kushtrimi i Lirisë” u përfshi në projektin EU4Schools të financuar nga Bashkimi Evropian me një fond prej 75 milionë eurosh  për rindërtimin e shkollave të dëmtuara. Durrësi pati 18 shkolla që përfituan nga ky fond, përfshirë edhe këtë shkollë.

Siç mund ta shihni edhe në dokumentin që shoqëron këtë denoncim publik, ky projekt kishte për qëllim rindërtimin dhe mirëmbajtjen e institucioneve arsimore.

Përkundër faktit që shkolla është rindërtuar me fondet e BE-së, u kërkohet prindërve të nxënësve të paguajnë shtesë për mirëmbajtjen e saj.

Prindërit kanë marrë një shkresë nga bordi i shkollës që kërkon “kontribut vullnetar” prej 10 mijë lekësh të vjetra për nxënës.

Pse duhet të paguajnë prindërit kur fondet janë tashmë siguruar nga Bashkimi Evropian?

A u investuan të gjitha këto para për rindërtim apo rikonstruksion? Nëse po, përse duhen para të tjera?

Sipas ligjit, çdo biznes i madh është i detyruar të paguajë 12 mijë lekë të reja (ose 120 mijë lekë të vjetra) në vit si taksë për infrastrukturën arsimore, që përfshin mirëmbajtjen e shkollave.

 Pra, kemi dy burime financimi:

1) fondet e BE-së për rindërtim,

2) taksat e biznesit për mirëmbajtje.

Megjithatë, si duket, këto nuk kanë mjaftuar dhe tani duan të fusin duart edhe në xhepat e qytetarëve!

As paratë e BE nuk mjaftojnë?!!! As paratë që u vilen bizneseve të mëdha nuk mjaftojnë?

Ndoshta për dikë, 10 mijë lekë të vjetra mund të mos jetë shumë e konsiderueshme, por për dikë tjetër janë vakti i fëmijëve të tyre, janë paratë e djersë që fëmijët të vishen dhe pajisen me mjete shkollore njësoj si të tjerët.

Kjo është një skemë e pastër për të vjelë dhe vjedhur para në emër të një “kontributi vullnetar”.

 E vërteta është se ky “kontribut” nuk ka asgjë vullnetare, por është një peshë shtesë mbi prindërit që përpiqen të përballojnë të gjitha shpenzimet për edukimin e fëmijëve të tyre.


Shtuar 18.10.2024 14:42