Enea Karakaçi ka marrë sot, zyrtarisht, stafetën si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai është prezantuar përpara stafit nga Belinda Balluku, e cila gjatë detyrës e promovoi Karakaçin në disa poste të rëndësishme, deri së fundmi i administrator i OSHEE.
Gjatë fjalës së tij, Enea Karakaçi u shfaq i emocionuar, pasi siç tha, ju kujtua sesi kishte hyrë në ministri në vitin 2011 si specialist i thjeshtë, e vazhdoi rrugëtimin si shef sektori, drejtor i përgjithshëm dhe administrator i OSHEE.
“Jam i emocionuar që për faktin që tani më kujtohet se unë në këtë Ministri kam hyrë për herë të parë si specialist në vitin 2011, kam bërë rrugëtimin tim, nga specialist, shef sektori, drejtor, drejtor i përgjithshëm dhe së fundmi i administrator i Korporatës Energjitike.
Unë jam shumë i qartë përsa i përket vizionit, qasjes, objektivave dhe çfarë kërkohet nga kryeministri dhe qytetarët për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Jam i bindur që me bashkëpunimin tuaj, gjithë stafin e MIE, do ja dalim të çojmë përpara sfidat, të arrijmë atë që qytetarët kërkojnë nga ana jonë dhe të përmbushim detyrat me cilësinë e duhur”, u shpreh ministri i ri i MIE.
Enea Karakaçi e mbylli prezantimin përpara stafit me një falenderim të veçantë për Belinda Ballukun, rrugëtimin e përbashkët dhe mbështetjen e saj gjatë detyrave të larta që i ka besuar ndër vite.
“Një falenderim i veçantë për ju zonja zëvendëskryeministre, për gjithë rrugëtimin që kemi bërë bashkë, për mbështetjen tuaj gjatë gjithë detyrave në karrierën time, gjatë rrugëtimit tonë, që siç ju e thatë është që nga viti 2019. Ka qenë nder dhe privilegj i veçantë që unë të bashkëpunojë me ju”, tha ministri Enea Karakaçi.
