Ervin Salianji, ka reaguar pas fitores së opozitës në zgjedhjet e përgjithshme në Hungari, ku Peter Magyar arriti të mposhtë Viktor Orban pas 16 vitesh pushtet.
Në një postim në Facebook, Salianji e cilësoi këtë zhvillim si një shembull të qartë se pushtetet e përqendruara mund të rrëzohen përmes votës. Ai theksoi se opozita hungareze arriti të ndryshojë veten, të riorganizohej dhe të rikthente besimin te qytetarët përmes një lideri të ri si Peter Magyar.
Të lidhura
None found
Gjithashtu Salinanji e lidhi këtë shembull me lëvizjen për ndryshim brenda Partisë Demokratike, duke theksuar se opozita në Shqipëri duhet të sfidojë sistemin çdo ditë dhe të ndërtohet mbi përgjegjësi, jo mbi alibi.
Reagimi i plotë:
“Një pushtet i përqendruar prej vitesh nga Viktor Orban, me zgjedhje të kontestuara, media të kapura dhe oligarkë të ushqyer nga qeveria, dukej i paprekshëm. Një histori që ngjan shumë me realitetin që kemi përballë sot me Edi Ramën!
Por ndryshe nga ajo që kemi parë shpesh në Shqipëri, në Hungari ndodhi një kthesë e vërtetë, Opozita nuk u mjaftua me ankesa, qarje, nuk u fsheh pas justifikimeve, nuk u dorëzua.
Ajo ndryshoi veten. U riorganizua. Zgjodhi lider të ri! Pati fuqinë të ndryshoje veten! Riktheu besimin te qytetarët. Denoncoi me fakte dhe mobilizoi mbështetje të gjerë popullore e mbi të gjitha, solli një energji të re përmes një lideri të ri si Peter Magyar.
Ky është mësimi i qartë, ndryshimi nuk vjen vetë, duke pritur që sistemi të bjerë. Ndryshimi vjen kur ke kurajon ta sfidosh dhe ta ndryshosh atë. Kjo është arsyeja pse prej kohësh kemi nisur lëvizjen për ndryshim në Partine Demokratike! Një lëvizje që nuk ndërtohet mbi alibi, por mbi përgjegjësi.
Që nuk kërkon pushtet për vete, por besim nga qytetarët. Që nuk frikësohet nga sistemi, por e sfidon atë çdo ditë. Sepse një e vërtetë mbetet dhe sot u rikonfirmua në Hungari; asnjë pushtet nuk është më i fortë se qytetarët e bashkuar. Hungaria e bëri, është radha jonë”, shkruan Salianji.
