Humben jetën në banesën e tyre në Itali, kjo është familja shqiptare që u helmua nga monoksidi i karbonit

Mbrëmjen e djeshme, një ngjarje tragjike është regjistruar në Lucca të Italisë, ku një familje shqiptare prej katër pjesëtarësh, është shuar si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesën e tyre.

Personat që shihni në foto, janë Arti Kola, 48-vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 42-vjeçe, dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar, 23-vjeç, dhe Xhesika, 15-vjeçe, të cilët humbën jetën në banesën e tyre në Itali, si pasojë e një rrjedhjeje gazi.

Ata janë me origjinë nga qarku i Elbasanit.

Mediat italiane raportojnë se sipas autoriteteve, ishte pikërisht vëllai i kryefamiljarit ai që ngriti alarmin, pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave.

Pasi mbërritën në shtëpinë trekatëshe dhe nuk morën përgjigje, ai dhe dy oficerë të karabinierëve hynë me forcë brenda, ku u përballën me një skenë të rëndë: katër trupat e pajetë të shtrirë në dysheme.

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës së darkës. Kur ekipet e shpëtimit hynë në banesë, gjetën tryezën të shtruar, ç`ka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë.

Dy karabinierët që ndërhynë për ndihmën e parë pësuan gjithashtu shenja të lehta helmimi, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet italiane, kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrjedhjes së monoksidit të karbonit dhe për të verifikuar gjendjen e sistemit të ngrohjes në banesë.

 


Shtuar 5.02.2026 10:39