Dhimbje e thellë në shkollën ku studionte 14-vjeçari Eraldo Xhejo, i cili humbi jetën dje pas një goditjeje me thikë nga bashkëmoshatari Enedio Guri.
Në një postim prekës në rrjete sociale, Shkolla e mesme e bashkuar “Tafil Rexhepi” Pirg ka shprehur ngushëllime për vdekjen e tij.
“Lamtumirë, ylli ynë i ndritur Erald! Sot zemrat tona janë më të rënda se kurrë. Humbëm jo thjesht një nxënës, por një djalë të mrekullueshëm, plot ëndrra, buzëqeshje dhe mirësjellje. Ti ishe shembull i përkushtimit, i dashurisë për dijen dhe i shpirtit të pastër. Shkolla nuk do të jetë më e njëjta pa ty,” shkruan shkolla.
Në mesazhin prekës, thuhet se banka ku ai ulej do të mbetet bosh, por kujtimet do të mbajnë gjithmonë dritën që ai u fali të gjithëve.
“Ti nuk u largove, por u bëre engjëlli më i bukur i Parajsës! Ngushëllime familjarëve! Jemi bashkë me ju në këtë dhimbje të madhe,” përfundon reagimi i shkollës.