25-vjeçari rus Fedir Alpatov ka folur një ditë pasi u lirua nga burgu,duke thënë se arrestimi në Shqipëri për spiunazh ishte një tragjedi e madhe për të dhe familjen tij.
Alpatov ka thënë për gazetaren Klodiana Lala se kishte ardhur në Shqipëri për të mësuar për historinë.
Ai ka treguar ndër të tjera se kishte një punë të mirë, një karrierë e një të dashur para se të vinte në vendin tonë, por në 9 muaj humbi gjithçka.
“Për mua dhe për familjen time ishte një tragjedi e madhe. Përpara se të vija në Shqipëri unë kisha një punë shumë të mirë, kisha karrierë, kisha një të dashur. Kisha ardhur në Shqipëri për të mësuar për historinë, të mësoja për komunizmin, për Enver hoxhën dhe për gjëra të tjera interesante të historisë së shqipërisë. U arrestova gjatë udhëtimit tim dhe ata më akuzuan mua për spiunazh. 5-6 ditë më vonë Edi Rama tha se ne nuk jemi spiunë dhe objekti ishte i deklasifikuar. Por ata që më lanë mua në burg për 9 muaj. Unë humba gjithçka”, deklaroi Alpatov.
Ndër të tjera ai ka treguar me detaje çfarë ndodhi ditën që u arrestua dhe se nuk e dinin kush ishin personat që po i ndiqnin.
“Ishte një fabrikë e braktisur në Gramsh dhe ne vendosëm të shihnim çfarë kishte brenda. Nuk kishte dritare dhe ne vendosëm të futeshim brenda. Brenda godinës ne u përballëm me disa djemë, tentuam të iknim në drejtime të ndryshme. Mikhail shkoi në një drejtim, unë në një drejtim tjetër. Siç e di unë, Misha vrapoi dhe pas disa momentesh ishte një makinë e zezë nga ku dolën disa djem që ndaluan Mishën. Nuk dukeshin si ushtarakë, makina ishte një “Audi” e errët. Misha mendoi se ata po e sulmonin dhe vendosi të mbrohej me sprai me piper. Ata e morën, e goditën dhe e futën në stacionin e policisë”, ka thënë Alpaov.
Kujtojmë që ditën e djeshme gjykata la të lirë shtetasit rusë që u futën në uzinën e Gramshit para disa muajsh duke sulmuar rojet e subjektit.
Mikhail Zorin do vendoset në arrest shtëpie, ndërsa Fedir Alpatov dhe Svetlana Tomofoeva janë të ndaluar të dalin jashtë Shqipërisë.
Këta të fundit duhet gjithashtu të paraqiten një herë në muaj para oficerit gjyqësor.