Hoxha zbulon “frikën” e Berishës për kullat te ish-Ekspozita: Nuk flet, se e kishte nuhatur që do kishte goditje pranë tij

Gazetari Artan Hoxha ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku u diskutua për aksionin e fundit të SPAK, ku ra në pranga edhe Erzen Breçani.

Hoxha tha se Berisha nuk po flet për këtë çështje, ndryshe nga sa bëri me “Metamorfoza 1”, për shkak se i druhet një goditje të drejtësisë ndaj një personi shumë pranë tij.

Hoxha përmendi gjithashtu një kullë dhjetëra milionë euro, e cila po ndërtohet tek zona e njohur si ish Ekspozita, ku sipas gazetarit po investohen paratë e narkotrafikut.

Nëpërmjet personazheve është kërkuar mbështetje politike në fushatë elektorale. Është rastësi apo e qëllimshme? Nëse në grupin e parë që u kap, Berisha fliste çdo ditë, këtë rradhë, goditja është nga këta që kanë mbështetur fushatën e opozitës.

Vijmë te paratë. Është skemë interesante. Janë personazhe që kanë shfrytëzuar të gjithë rrugët, nga paratë kesh, por edhe nëpërmjet bankave. Nëse e ke vënë re, Berisha flet çdo ditë për operacionin e parë të SPAK-ut për çështjen Metamorfoza, por nuk përmend këtë të dytin. Nuk e ka përdorur as pro dhe as kundër.

Ai ka nuhatur që ky operacion mund të godasë njerëz shumë të afërt të tij.

Lidhet me investimet nga paratë e narkotrafikut në një kompleks shumë luksoz, që shkon te 75 milionë euro. Aty diskutohen… Është kullë me arkitekturë shumë interesante, nga ato me pemë si në Milano, arkitekturë futuriste…. Ka patur problem në fillim për zbatuesit, por pallati është në karabina. Bëhet fjalë në krahun e djathtë të rrjedhës së Lanës, te ish ekspozita. Berisha nuk po e përdor politikisht këtë histori.

SPAK ka ndarë informacionet me territore dhe po operon, duke përzgjedhur fillimisht këta që kanë patur edhe krime më të rënda se trafiku, pra edhe vrasje”, tha Hoxha.


Shtuar 23.11.2023 22:04