Hovenier: Mbështesim zbatimin e të gjitha marrëveshjeve Kosovë – Serbi

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të martën se Shtetet e Bashkuara mbështesin zbatimin e të gjitha zotimeve të marra përsipër nga Kosova dhe Serbia në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ai i bëri këto komente në një postim në rrjetet sociale pas një debati me dyer të mbyllura për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që u mbajt në mjediset e ambasadës amerikane.

Në takim morën pjesë rreth 40 përfaqësues institucionesh, partish politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Përfaqësuesit politik nuk komentuan rrjedhën e takimit, përgjatë të cilit sic mëson Zëri i Amerikës është diskutuar mbi atë se si do të funksiononte Asociacioni i komunave me shumicë serbe në praktikë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës dhe cila mund të ishin përfitimet që do të mund të kishte Kosova me themelimin e Asociacionit.

Përfaqësues të serbëve të Kosovës kanë ngulur këmbë se marrëveshja e Brukselit për Asociacionin ka peshë më të madhe sesa interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, gjë që është kundërshtuar nga njohës të fushës në Kosovë.

Një nga pjesëmarrësit e takimit, që nuk deshi të identifikohej i tha Zërit të Amerikës se “përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk janë shprehur kategorikisht kundër Asociacionit, por kanë kërkuar garanci mbi përfitimet që mund të ketë Kosova nga themelimi i tij. Para së gjithash është kërkuar siguri që nëse Asociacioni themelohet nuk do të mund të shfrytëzohet nga Beogradi zyrtar siç shfrytëzohen mekanizma të tjerë ekzistues në Kosovë, gjë që është garantuar nga përfaqësuesit ndërkombëtar në takim”.

Miodrag Miliçeviç nga Organizata joqeveritare ‘Aktiv’ në Mitrovicën e Veriut, tha se “elementi më i rëndësishëm ishte që ne duhet të krijojmë një perceptim të përbashkët se Asociacioni është diçka që duhet të negociohet dhe duhet të zbatohet, dhe se do të zbatohet duke u bazuar në parimet e vendosura vite më parë nga delegacionet përkatëse”.

Ai tha se çelësi për këtë proces është në duart e politikbërësve kryesorë të të dy qeverive.

“Ata më së pari duhet të ndryshojnë ligjërimin e tyre publik, duhet të ndryshojnë perceptimin mbi atë se si do të duket Asociacioni. Kemi dëgjuar qëndrime të ndryshme më parë dhe edhe sot, se Asociacioni do ta dëmtojë pavarësinë e Kosovës, Asociacioni do të jetë një lloj ‘Republika Serbska’ apo një entitet njëetnik, gjëra që i dëgjuam edhe sot nga disa pjesëmarrës. Por kur bëhet fjalë për marrëveshjet e përbashkëta dhe mirëkuptimin kjo do të mundësohej vetëm me dialog publik dhe atë shumë të ngjeshur”, tha ai.

Takimi së martës u mbajt në një periudhë të shtimit të trysnisë për themelimin e Asociacionit dhe një ditë më parë diplomatë të lartë amerikanë thanë se koha për krijimin e tij është tani. Të hënën fondacioni gjerman Friedrich-Ebert, publikoi një projekt statut se si duhet të funksionojë ai.

Prishtina heziton të themelojë Asociacionin, duke theksuar se ai mund të çojë në krijimin e një shteti brenda shtetit, ngjashëm me Republika Srpskan në Bosnje dhe Hercegovinë.

Diplomatët amerikanë kanë siguruar Kosovën se zotimi i saj për për ta themeluar Asociacionin, “nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj”.

Trysnia është rritur ndërsa janë shtuar përpjekjet për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve. /VOA


Shtuar 31.01.2023 15:43