Këtë të hënë, në teatrin “Petro Marko” të Vlorës, u zhvilluan homazhet në nderim të humoristit dhe parodistit të njohur vlonjat, Mane Lumani, Mjeshtër i Madh dhe Qytetar Nderi i Vlorës, i cili u nda nga jeta një ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë.
Në homazhe ishin të pranishëm miq, të afërm, familjarë, kolegë, qytetarë etj, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit Lumanit.
Kolegët dhe bashkudhëtarët e tij në skenë, Afrim Agalliu dhe Agron Hamo, shprehën ngushëllimet për familjen Lumani, duke theksuar se me ndarjen e tij nga jeta largohet një tjetër nga katër parodistët simbol të Vlorës.
“Duhen netë dimri që të flasësh për atë figurë aq të madhe, ne na janë larguar nga jeta dy aktorë shumë të mëdhenj, Meti na la papritur, por Manen e prisnim se edhe vuajti. Mane ka qenë nga më interesantët, më të dashurit për publikun. Na u prenë të dy krahët, por them se Mane do mbetet shumë kohë në mendjen dhe kujtesën e njerëzve”, tha Agron Hamo.
Ndërsa Afrimi Agalliu tha se; “Mane ishte një shembull për të gjithë ne”.
“Do ta mbajmë mend të gjithë me karakterin interesant me atë mimikën e plastikën e tij që na ka bërë të qeshim të gjithëve”, vuri në dukje ai.
Lumani humbi jetën mbrëmjen e së dielës, ndërsa prej dhjetorit ishte i shtruar në spital. Prej vitit 2004, Mane Lumani kishte humbur kordat e zërit, ndërsa prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
