Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, ka uruar Holta Zaçajn, e cila u zgjodh dje kryetare e Gjykatës Kushtetuese.
“Urime Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryetares së re. Holta Zaçaj është kryetarja e parë që zgjidhet që kur Gjykata arriti një trup gjykues të plotë.
I urojmë suksese asaj dhe të gjithë gjyqtarëve duke forcuar integritetin dhe pavarësinë e Gjykatës.
Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po ecën përpara.SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e plotë të reformës në drejtësi në Shqipëri. Gur mbi gur…”, shkruan Kim.
2/2 Justice reform has not been easy, quick, or perfect, but it is moving forward. ?? will continue to strongly support the full implementation of justice reform in ??. Gur mbi gur…
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) February 21, 2023
Kujtojmë se Holta Zaçajn mori një shumicë prej 5 votash. Ajo është vënë në drejtimin e Gjykatës, pas vetëm më pak se një muaj eksperiencë si anëtare e saj, dhe me një mandat të cunguar.
Sipas ligjit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ka një mandat 3 vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Por Zaçaj, nuk do të mund ta ushtrojë të plotë mandatin e fituar sot, pasi në vitin 2025, asaj i përfundon mandati si anëtare e Gjykatës. Ajo u zgjodh si e tillë në janar, duke marrë pjesën e mbetur të mandatit të zonjës Vitore Tushe, e vetmja, nga anëtarët që i mbijetoi procesit të vettingut, dhe qëndroi në detyrë deri në plotësimin e Gjykatës me të 9 anëtarët e saj të rinj.
Në garë për kreun e Kushtetueses ishin dhe dy anëtare të tjera të gjykatës, Fiona Papajorgji dhe Mariana Semini. Në dy raundet e para asnjë prej emrave në garë, nuk kishte marrë shumicën e kërkuar prej të paktën 5 votash. Madje në votimin e dytë, të premten e shkuar, të tre kandidatet, morën nga 3 vota secila, ndërsa sot, duket se dy nga votat që kishin qenë për zonjën Semini, i kaluan zonjës Zaçaj. Anëtarja Semini mori vetëm një votë, ndërsa zonja Papajorgji ruajti 3 votat që kishte marrë më parë.
Zaçaj, 47 vjeçe, vjen nga sistemi i avokaturës, me një angazhim dhe si eksperte ligjore, kryesisht në fushën e së drejtës familjare dhe asaj të fëmijëve.