Deputetja demokrate Elda Hoti i ka kërkuar ndjesë demokratëve për firmën që dha për Endri Shabanin, në mënyrë që ai të propozohej si kandidat për Avokatin e Popullit, siç në fakt ndodhi. Ajo thotë se e gjitha ka qenë një gabim.
Ajo sqaron se firmat u janë kërkuar në mënyrë që kandidati të dëgjohej në Komisionin e Ligjeve, por siç thotë ajo, më pas është keqpërdorur.
“Ndjesë të sinqertë demokratëve, opozitarëve dhe mbështetësve tanë për një firmë të dhënë vetëm për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve një firmë që më pas u keqpërdor nga Edi Rama dhe Taulant Balla për të miratuar kandidaturën ilegjitime të Endri Shabanit.
Pavarësisht faktit që firmat janë tërhequr zyrtarisht, Edi Rama zgjodhi Avokatin e Popullit në kundërshtim me Kushtetutën dhe me çdo standard demokratik. Megjithatë, nuk dua të shmang përgjegjësinë”, shkruan deputetja Elda Hoti.
Sipas deputetes demokrate, Edi Rama dhe Taulant Balla i kanë përdorur firmat e demokratëve për të miratuar kandidaturën ilegjitime të Endri Shabanit. Ajo sqaron se e gjitha ka qenë një gabim dhe kërkon ndjesë, pavarësisht mënyrës sesi ndodhi.
“Ky mbetet një gabim, për të cilin kërkoj një ndjesë të sinqertë çdo demokrati dhe çdo qytetari shqiptar”, përmbyll Elda Hoti.
Endri Shabani mori 35 firma nga deputetët e Partisë Demokratike për të shkuar si kandidaturë për Avokatin e Popullit në Kuvend. Më vonë, demokratët u tërhoqën, por atëherë propozimi kishte shkuar në seancë dhe vetëm me votat e socialistëve, Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit.
