7 nga 21 protestuesit e arrestuar gjatë protestës kombëtare të 10 shkurtit, të organizuar nga opozita, do të dalin ditën e nesërme, 13 shkurt, para Dhomës Penale të Gjykatës së Tiranës, për shqyrtimin e masave të sigurisë.
Seanca gjyqësore pritet të nisë në orën 12:00, siç bëhet me dije në shkresën e gjykatës drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, përmes së cilës kërkohet shoqërimi i 7 të arrestuarve në gjykatë.
Bëhet fjalë për 7 nga të arrestuarit: Rei Bogdani, Sindrit Peka, Joel Korbi, Kreshnik Kastrati, Zeni Guraj, Daniel Zeka dhe Oresti Halilaj.
Ata akuzohen për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Po ashtu, nën hetim në gjendje të lirë u vu edhe sekretari organizativ i PD-së Ervin Minarolli, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Shtytja e të miturit në krim”.
Po ashtu materialet u referuan edhe për deputetët Belind Këlliçi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Luan Baçi, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shtytja e të miturit në krim”.
Sipas policisë, nga molotovët mbetën të lënduar 16 efektivë, të cilët pësuan djegie dhe dëmtime fizike dhe u mjekuan në spital.
Në spital përfundoi gjithashtu edhe deputeti Bledjon Nallbati, i cili pësoi hematomë në kokë dhe pati shqetësime nga gazi lotsjellës që hodhi policia.

