HISTORIKE/ Shqipëria merr organizimin e Kampionatit Europian 2026 të mundjes

Përveç rezultateve të mëdha në tapet, Shqipëria është shndërruar gjatë viteve të fundit në një vend kyç për mundjen ndërkombëtare, duke pritur evenimentet më madhore të këtij sporti.

Kështu, pas disa organizimeve si Kampionati Botëror U-23, Botërori për peshat joolimpike, Europiani U-23, Turneu Ndërkombëtar i përvitshëm “Muhamet Malo”, apo Kongresi Botëror Zgjedhor, në vendin tonë vjen një tjetër aktivitet madhor.

Bëhet fjalë për Kampionatin Europian për të rritur, kompeticion që do të zhvillohet më datat 20-26 prill 2026.

Lajmin e ka dhënë vetë Federata Shqiptare e Mundjes, duke njoftuar marrjen e këtij organizimi historik, që për herë të parë vjen në Tiranë.

NJOFTIMI I FEDERATËS:

Një tjetër arritje e madhe për Federatën Shqiptare të Mundjes! Jemi krenarë t’ju njoftojmë se Federata Botërore na ka besuar organizimin e një prej eventeve më prestigjioze në sportin e mundjes, Kampionatin Europian për të Rritur. Ky është një hap historik për sportin tonë, një mundësi për të treguar vlerat, pasionin dhe përkushtimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Faleminderit të gjithëve që na mbështesin në këtë rrugëtim”, shkruhet në komunikatën e Federatës Shqiptare të Mundjes, duke i bashkangjitur edhe dokumentin zyrtar të marrjes së organizimit për Europianin e të rriturve, një kompeticion që do të sjellë në Tiranë elitën kontinentale të mundjes.

 

 

REZULTATE TOP – Kujtojmë që në verën e vitit të kaluar Shqipëria shkroi historinë pikërisht me sportin e mundjes, duke fituar medaljet e para olimpike të vendit tonë. Dy të bronzta në “Paris 2024”, të fituara nga Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, sportistë të natyralizuar me pasaportë shqiptare, me iniciativën e presidentit të federatës, Sahit Prizreni. Ndërkohë, vetëm pak javë më parë Valiev shënoi një tjetër rezultat të madh, duke u shpallur nën-kampion bote me Shqipërinë.