Historia e banorit që u gjobit me 65 milion lekë për një gomar dru

Shfrytëzimi i pyjeve për arsye ekonomike është e ndaluar përmes një moratorium i miratuar në vitin 2016 nga qeveria Rama. Por sëpata e krimit ka punuar pa mëshirë edhe këto vite duke shkatërruar qindra hektarë masive pyjore në Shqipëri. Problematika fillon shumë vite më parë. Prej 30 vitesh pyjet e Shqipërisë shfrytëzohen në kundërshtim të plotë me ligjin. 15 vitet e fundit Shqipëria ka humbur 30% të sipërfaqes së pyjeve dhe vlera e saj llogaritet në rreth 1 miliard dollar fitime nga kompanitë e licencuara nga shteti. Emisioni “vetting” ka udhëtuar ne disa masive pyjore ne Përrenjas, Librazhd, Ersekë dhe Bulqizë për të sjellë në vëmendjen e  publikut masakrën që ka ndodhur e po ndodh në pyjet.

Ilir Çeri, jeton ne fshatin Shqiponjë, në bashkinë Përrenjas. E siguron jetesën kryesisht me blegtori. Familja e tij përbëhet nga pesë anëtarë, bashkëshortja dhe tre fëmijët e mitur. Është një ndër familjet e varfra të asaj zone. Gjatë verës e gjithë familja angazhohet në mbledhjen e bimëve mjekësore, prej nga sigurojnë disa të ardhura përmes së cilave përpiqen të përballojë varfërinë. Banesa e tij është një shtëpi me pak orendi. Në cep të dhomës ka një sobë me dru, me të cilën ngrohen dhe gatuajnë gjatë dimrit. Pasuria e tij e vetme janë disa bagëti të imëta dhe një gomar. Banesa e tij gjendet rrëzë malit të Sopotit. Brez pas brezi, familja e tij ka marrë dru në pyllin përmbi shtëpi. Si paraardhësit e tij, Iliri ka mësuar të presë drurët e duhur që i shërbejnë për ngrohje, pa prishur pyllin.

I ati, Sami Çeri, thotë se Iliri e kishte marrë lejen e nevojshme për të prerë dru në pyll për ngrohje. Një ditë vjeshte në vitin 2018, Iliri u nis si zakonisht për të marrë dru me gomarin e tij. Në të dalë të pyllit, në kthim, ai u ndesh me dy të panjohur. I thanë se ishin inspektorë të pyjeve të ngarkuar për të ruajtur pyllin. I kërkuan dokumentin që e lejon të presë dru në pyll. Iliri nuk e kishte idenë se cili dokument duhej e çfarë kërkonin ata njerëz. Po kryente rutinën e përditshme e as e kishte çuar në mëndje se atë ditë do t’i qëllonte të takonte dy njerëz të panjohur e aq më pak t’iu tregonte atyre ndonjë dokument.

Pas pak minutash, njëri nga policët nxori një bllok nga xhepi dhe nisi të shkruante në një faqe. Aty shkruhej se Ilir Çerri dënohej me një gjobë prej 65 milionë lekësh. Dy inspektorët ia lanë në dorë faturën dhe u larguan. Iliri bashkë me gomarin me dru u kthye në shtëpi dhe mandatën ia tregoi të atit, Samiut. Ky i fundit kishte qenë për disa kohë kryeplak i fshatit dhe e dinte mirë se i biri nuk kishte bërë ndonjë shkelje dhe se ajo gjobë ishte e gabuar.

Sidoqoftë, Ilir Çeri duhet t’i paguante shtetit 65 milion lekë. I ati na tregon se Iliri nuk mund kurrsesi të mbledhë lekë për të shlyer gjobën e majme. Nëse do të punonte natë e ditë dhe të mundohej të hiqte mënjanë 50 mijë lekë të vjetra në muaj, do t’i duheshin më shumë se 100 vjet për ta paguar gjobën. Nëse qëndron në fuqi, kjo gjobë do të shkojë brez pas brezi si ndëshkim për fëmijë, nipa e stërnipa të Ilir Çerit. Ai beson se nuk ka bërë asnjë krim, e megjithatë është i frikësuar e nuk guxon as të dalë në media të denoncojë padrejtësinë që i është bërë./abcnews.al


Shtuar 29.06.2021 21:41