Një lutje e heshtur u mbajt në Japoni të mërkurën në mëngjes, me rastin e 80 vjetorit të hedhjes së bombës atomike nga Shtetet e Bashkuara në qytetin e Hiroshimës.
Kryeministri japonez Shigeru Ishiba, mori pjesë në ceremoni të mërkurën, së bashku me zyrtarë nga e gjithë bota.
“Japonia është i vetmi komb që ka vuajtur nga një bombardim atomik në luftë”, tha kryebashkiaku i Hiroshimës, Kazumi Matsui, në Parkun Memorial të Paqes të qytetit.
“Qeveria japoneze përfaqëson një popull që aspiron për paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme”.
Lufta e Dytë Botërore përfundoi me kapitullimin e Japonisë pas hedhjes së bombave në Hiroshima dhe Nagasaki, të cilat ndodhën me një diferencë prej disa ditësh.
Bombat vranë më shumë se 200.000 njerëz – disa nga shpërthimi i menjëhershëm dhe të tjerë nga sëmundja nga rrezatimi e djegiet.
“Babai im u dogj rëndë dhe u verbua nga shpërthimi. Lëkura e tij varej nga trupi – ai nuk mundi as të më mbante dorën”, tha për BBC-në i mbijetuari i Hiroshimës, Shingo Naito. Ai ishte gjashtë vjeç kur bomba goditi qytetin e tij, duke vrarë babanë dhe motrën e vëllain e tij.
Naito ka ndarë historinë me një grup studentësh në Hiroshima, të cilët po i shndërrojnë kujtimet e tij të tragjedisë në art.
Në vitin 2024, Nihon Hidankyo, një grup japonez i të mbijetuarve të bombës atomike, fitoi Çmimin Nobel për Paqen për përpjekjet e tyre për të çliruar botën nga armët bërthamore.
Në një fjalim të mërkurën, kryebashkiaku i Hiroshimës, Matsui, paralajmëroi për një “trend në rritje drejt ndërtimit të forcave ushtarake në të gjithë botën” dhe “idenë se armët bërthamore janë thelbësore për mbrojtjen kombëtare”.
“Këto zhvillime shpërfillin në mënyrë flagrante mësimet që bashkësia ndërkombëtare duhet të kishte nxjerrë nga tragjeditë e historisë”, tha ai.
“Ato kërcënojnë të rrëzojnë strukturat e ndërtimit të paqes për të cilat kaq shumë njerëz kanë punuar kaq shumë për t’i ndërtuar”.
Matsui tha se Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, i cili synon të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore dhe të promovojë përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, ishte “në prag të mosfunksionimit”.
Ai gjithashtu, i bëri thirrje qeverisë japoneze të ratifikojë Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore – një marrëveshje ndërkombëtare që ndalon armët bërthamore që hyri në fuqi në vitin 2021.
Më shumë se 70 vende e kanë ratifikuar traktatin, por fuqitë bërthamore si SHBA-ja dhe Rusia e kanë kundërshtuar atë, duke treguar funksionin parandalues të arsenaleve bërthamore.
Japonia gjithashtu e ka hedhur poshtë një ndalim të tillë, duke argumentuar se siguria e saj është rritur nga armët bërthamore të SHBA-së.
Në rrugët që të çojnë në Parkun Memorial të Paqes, pati protesta të vogla që bënin thirrje për heqjen e armëve bërthamore.
Satoshi Tanaka, një tjetër i mbijetuar i bombës atomike i cili vuante nga kancere të shumta nga ekspozimi ndaj rrezatimit, tha se të parit të gjakderdhjes në Gaza dhe Ukrainë sot i sjell në mendje vuajtjet e tij.
“Duke parë malet me rrënoja, qytetet e shkatërruara, fëmijët dhe gratë që iknin në panik, të gjitha më sjellin kujtime të asaj që përjetova”, i tha ai BBC-së.
“Ne jetojmë pranë armëve bërthamore që mund ta zhdukin njerëzimin shumë herë”.
“Prioriteti më urgjent është të shtyhen udhëheqësit e vendeve të armatosura me armë bërthamore. Popujt e botës duhet të bëhen edhe më të indinjuar, të ngrenë zërin e tyre më fort dhe të ndërmarrin veprime masive”.