Një 20-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi mbante dhe përdorte padrejtësisht uniformën e Policisë së Shtetit, duke u prezantuar si efektiv policie.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë i riu me iniciale E. B., 20 vjeç, banues në Kamëz, të cilit gjatë një kontrolli nga “kolegët’ e tij, ai u konstatua i veshur me uniformë dhe stema policore të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Pas verifikimeve, rezultoi se i riu nuk ishte punonjës i Policisë.
Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët sekuestruan 4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara si të falsifikuara1 armë sportive të llojit pistoletë me 2 krehra, një uniformë të Policisë së Shtetit,16 stema dhe grada policore si dhe 3 kapele me shenja të ngjashme me ato të uniformës policore.
Policia njofton se vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe për verifikimin nëse 20-vjeçari mund të jetë i përfshirë në veprimtari të tjera të paligjshme, që lidhen me përfitime përmes përdorimit të pajisjeve dhe uniformave policore.
Njoftimi i policisë
Mbante dhe përdorte padrejtësisht uniformën e Policisë së Shtetit dhe dilte në rrugë i veshur si punonjës policie, vihet në pranga 20-vjeçari.
Sekuestrohen uniforma policie, stema/grada policie, 1 armë sportive dhe dokumente të dyshuara të falsifikuara.
Shërbimet e patrullës së Komisariatit të Policisë Nr. 5, gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të goditjes së paligjshmërisë në çdo fushë që shfaqet, në bulevardin “Nënë Tereza”, kanë konstatuar automjetin tip “Mercedes-Benz”, me drejtues shtetasin E. B, i cili ishte i veshur me uniformë dhe stema policore, të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Pas ndalimit të mjetit dhe verifikimit të mëtejshëm, rezultoi se drejtuesi, shtetasi E. B, nuk ishte punonjës policie.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e tij, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara të falsifikuara;
1 armë sportive të llojit pistoletë me 2 krehra përkatës;
uniformë e Policisë së Shtetit;
16 stema dhe grada të ndryshme;
3 kapele me shenja të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe verifikimin nëse 20-vjeçari mund të jetë i implikuar në veprimtari të tjera të kundërligjshme, që lidhen me përfitime përmes përdorimit të pajisjeve dhe uniformave policore.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B, 20 vjeç, banues në Kamëz, dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të metejshme.
