SPAK dhe BKH kontrolle në banesën dhe zyrën e biznesmenit Artan Dulaku

Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit, me urdhër të SPAK ushtruan kontrolle në banesën dhe zyrën e biznesmenit Artan Dulaku, në kuadër të hetimeve për portin e Limionit në Sarandë, i cili është nën sekuestro.

Në kuadër të hetimeve që SPAK po zhvillon prej 2 vitesh për tjetërsimin e pronave të ushtrisë në Sarandë, mësohet se ditën e sotme janë ushtruar kontrolle në banesën dhe zyrën e biznesmenit Artan Dulaku. Burime për Report Tv bëjnë me dije se kontrollet janë ushtruar me kërkesë të prokurores Manjola Kajana dhe me vendim të GJKKO-së, ndërsa agjentët e BKH-së janë mbështetur edhe nga Policia e Shtetit.

Në bazë të këtyre hetimeve, me vendim të GJKKO është vënë në sekuestro edhe Portin e Limionit, një bazë e Forcave Detare, pronë e ushtrisë shqiptare e cila në korrik të viti 2020, me vendim të qeverisë, i është dhënë me qira, si pjesë e një territori shumë më të madh, prej mbi 265 mijë metrash katrorë. Shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk parashikon ndërtimin e një kompleksi hotelesh, rezidencash dhe një port jahtesh që do të ofrojë mundësinë për ankorim, për 400 anije. Kërkesa e shoqërisë “Marina Bay Saranda” për heqjen e sekuestros për bazën detare në qytetin bregdetar është rrëzuar edhe nga Gjykata Kushtetuese më 12 nëntor 2024.

Hetimi nisi pas kallëzimit në SPAK nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari në vitin 2021 kundër vendimit të Këshillit të Ministrave, që më 1 korrik 2020 vendosi që Baza Detare Limion me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 265 mijë metra katrorë, t’i jepej me qira për 20 vjet me tarifën simbolike 1 euro bashkimit të 2 shoqërive.

Baza detare e Sarandës do të qëndrojë e sekuestruar derisa Prokuroria e Posaçme të dalë me një vendim për hetimin e nisur lidhur me procedurat e ndjekura për dhënien me qira te privati të pronës së ushtrisë.