Pas më shumë se 5 orësh dëshmi, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku dëshmoi në lidhje me një vepër penale të korrupsionit pasiv, ndërkohë ka nisur dhe hetim pasuror.
Ndërsa për gazetarët, Veliaj ka thënë vetëm një fjali: “Do të flas live”.
Burimet bëjnë me dije se Veliaj, është thirrur në SPAK me kërkesë të prokurorit Ols Dado.
Ndërkohë, në ambientet e jashtme të Prokurorisë së Posaçme në pritje të tij, disa persona protestojnë kundër tij. Në sajë të këtyre hetimeve, ka pasur kontroll personal ndaj familjarëve të zotit Veliaj.
Më 6 dhjetor 2024 SPAK, sekuestroi telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Gjithashtu me vendim të GJKKO, kontrolle u kryen dhe në studion ‘Harabel’ tek ish-Blloku, ku u sekuestruan dhe dokumente që kanë të bëjnë me hetimet e nisura nga prokurori Olsi Dado, në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.
Pas sekuestrimit të telefonit të bashkëshortes së Veliajt, SPAK u shpreh se janë ndërmarrë veprimet hetimore, ndërsa hetimi i nisur nga prokurori Dado është ende në faza paraprake.
Kjo është hera e dytë që Veliaj paraqitet në SPAK, pasi herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në SPAK, lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës.