Hetimi i zgjedhjeve të 11 majit/ Altin Dumani: Kemi sekuestruar prova të rëndësishme, janë kontrolluar zyra dhe…

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka raportuar mbi ecurinë e hetimeve të nisura për parregullsitë në procesin zgjedhor të 11 majit, duke deklaruar se Prokurorët e Posaçëm kanë ndërmarrë një sërë kontrollesh të banesave, zyrave dhe personave të dyshuar.

Sipas Dumanit, janë ekzekutuar 20 vendime gjykate që lejuan kontrolle në ambiente të ndryshme, nga ku janë sekuestruar dokumente dhe prova të rëndësishme që pritet t’i shërbejnë procesit hetimor.

“Janë ushtruar disa kontrolle në banesa, zyra dhe ambiente të tjera. Janë sekuestruar prova të rëndësishme. Por sfidat nuk mungojnë. Kallëzimet e depozituara nga partitë politike në SPAK kanë qenë të paplota dhe të pamjaftueshme për të ndërtuar një hetim të plotë”, u shpreh Dumani.

Ai theksoi nevojën për më shumë ndërgjegjësim qytetar dhe mbështetje për denoncimet publike, përmes fushatave informuese dhe garantimit të mbrojtjes ligjore për dëshmitarët.


Shtuar 26.06.2025 10:13