Hetimet për skandalin e AKSHI-t, SPAK kryen kontrolle në vilat e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit në jug të vendit

SPAK ka zhvilluar një aksion në kuadër të hetimeve për skandalin e AKSHI-t, duke ushtruar kontrolle në një kompleks luksoz në Jug të vendit.

Sipas gazetares Klodiana Lala, kontrollet janë kryer në dy vila në pronësi të biznesmenit Ergys Agasi dhe një vilë të biznesmenit Ermal Beqiri, të dy të dyshuar si të përfshirë në këtë aferë.

Të lidhura

None found

Aksioni është kryer me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ndërsa në terren kanë qenë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët kanë sekuestruar materiale dhe pajisje që dyshohet se lidhen me hetimin.

Kujtojmë se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë në kërkim nga SPAK, ndërsa akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kishte për qëllim përvetësimin e tenderave të agjencisë. Agasi dhe Beqiri akuzohen se drejtonin grupin dhe se u përfshinë në pengmarrje e afera të tjera korruptive.

Kujtojmë se nën hetim për këtë aferë janë edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe ish-zv. drejtoresha Hava Delibashi, për të cilat është siguruar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

I përfshirë në skemë dyshohet edhe Erion Ismaili, zv.drejtor për hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, ndaj të cilit gjykata ka vendosur “pezullim nga detyra” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”.

Po ashtu të akuzuar janë dhe Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, tre biznesmenë ndaj të cilëve është vendosur masë sigurimi “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Të tre akuzohen se morën pjesë në skemën e manipulimit duke lëshuar fatura fiktive apo marrë pjesë fiktivisht në garat e zhvilluara.

Skema e hetuar nga SPAK zbulon se AKSHI dhe informacionet kritike që ajo përpunon iu vunë në dispozicion një grupi kriminal, i cili përdor ndër të tjera pengmarrjen e rivalëve për të siguruar tenderat dhe para publike. Ndërsa zbulojnë një skemë abuzime me paratë publike hetimet e SPAK po ashtu ngrenë pikëpyetje mbi cënimin e sigurisë kombëtare.


Shtuar 30.03.2026 23:30