Hetimet ndaj Veliajt/ Sot në GJKKO raportojnë prokurorët e SPAK-ut për informacionet dy mujore, ja kur do paraqitet në Gjykatën e Lartë

Me datën 8 korrik 2025, në orën 12:00, Gjykata e Lartë, do të shqyrtojë kërkesën e Erjon Veliajt, kryebashkiakut të arrestuar të Tiranë, lidhur me lirimin e tij nga burgu, për të cilën prej 4 muajsh mbahet i izoluar në qelinë e paraburgimit të Durrësit, si person i rrezikshëm për hetimin ndaj tij lidhur me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave, mosdeklarimit të pasurisë.

Më herët, kjo gjykatë nëpërmjet shortit ka përcaktuar edhe kryesuesen e kësaj seance, e cila është zgjedhur Albana Boksi.

Përveç Veliajt, në Gjykatën e Lartë, rekurs kanë paraqitur edhe dy miqtë e Veliajt, biznesmenët Elman Abule dhe Shkëlqim Fusha.

Këta të fundit, sipas SPAK-ut janë njohje e afërt e Veliajt, ku kanë përfituar tendera të dyshimtë.

Pjesë e dosjes së korrupsionit, është edhe Ajola Xoxa bashkë me biznesmenët e tjerë si: Gentian Sulaj, Meriam Palushi dhe Fatmir Bektashi.

Ndërkohë këtë të martë, Gjykata e Posaçme, do të zhvillojë një seancë të parashikuar për Erjon Veliajn, ku prokurori i posaçëm Ols Dado, do të raportojë mbi informacionet dy mujore të hetimeve mbi këtë çështje.

Sipas burimeve, Veliaj do të kërkojë edhe zëvendësim të masës së sigurisë të vendosur ndaj tij.


Shtuar 17.06.2025 09:16