Një mjek i Urgjencës së Spitalit të Pogradecit është në hetim në gjendje të lirë pas denoncimit të një 37-vjeçareje, e cila e ka kallëzuar pasi pretendon që nuk i ka kryer ekzaminimet e duhura vëllait të saj kur është paraqitur me probleme shëndetësore.
Fatkeqësisht, vëllai i saj ka ndërruar jetë në banesë dy ditë pasi është vizituar në Urgjencën e Pogradecit.
Sipas policisë, “shtetasja D. M., 37 vjeçe, banuese në Fier, e cila pretendon se shtetasi G. Z., me detyrë mjek në spitalin e Pogradecit, më datë 28.03.2022, tek urgjenca e këtij spitali, nuk ka kryer ekzaminimet e duhura ndaj vëllait të saj, shtetasit D. M., 34 vjeç, banues në Pogradec, i cili dy ditë më pas, ka ndërruar jetë në banesën e tij, për shkak të një infarkti në zemër”.
Njoftimi i Policisë Korçë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. Z., 44 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, pas kallëzimit të bërë nga shtetasja D. M., 37 vjeçe, banuese në Fier, e cila pretendon se shtetasi G. Z., me detyrë mjek në spitalin e Pogradecit, më datë 28.03.2022, tek urgjenca e këtij spitali, nuk ka kryer ekzaminimet e duhura ndaj vëllait të saj, shtetasit D. M., 34 vjeç, banues në Pogradec, i cili dy ditë më pas, ka ndërruar jetë në banesën e tij, për shkak të një infarkti në zemër.