Hetimet e SPAK ndaj Ergys Agasit, fabrika e cigareve e Ilir dhe Darjo Jasharit, tenderët e AKSHI dhe raporti me biznesmenin Ermal Beqiri

SPAK nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me hetimin ndaj biznesmenit Ergys Agasi ndërkohë që ai thotë se bëhet fjalë për fabrikën e cigareve të blerë nga ai nga ish-pronarët Ilir dhe Darjo Jashari, të cilët u arrestuan tre javë më parë, ndërsa nuk mungojnë raportimet mbi tenderët e AKSHI dhe raportet me biznesmenin Ermal Beqiri si edhe zgjedhjet. 

Pas kontrolleve të kryera nga BKH dhe SPAK në të paktën katër objekte të biznesmenit Ergys Agasi në Tiranë dhe Durrës, vetë Agasi ka reaguar duke sqaruar se veprimet e prokurorisë janë kryer në kuadër të një hetimi mbi aktivitetin e fabrikës së cigareve në pronësi të tij, të cilën Agasi e kishte blerë nga Ilir dhe Darjo Jashari, të cilët u arrestuan me 28 Maj me urdhër nga SPAK, pasi dyshohet se drejtonin një skemë të madhe kontrabande cigaresh.

Në një deklaratë për “shteg.org”, ai theksoi se “nuk ka asnjë vendim për t’u marrë i pandehur”, duke shpjeguar se hetimi ka të bëjë me transaksionin e blerjes së fabrikës së cigareve në Librazhd, për të cilën kompania e tij “EA Tobacco” pagoi simbolikisht vetëm 1 lek, me kusht që ish-pronarët të shlyenin detyrime të papaguara prej rreth 5 milionë euro.

Ndërkohë që Agasi ka sqaruar publikisht arsyet e kontrollit, në media ka patur raportime mbi tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Ish-kryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar publikisht se Agasi është personi që kontrollon realisht ndarjen e tenderave në AKSHI, duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë mbi procedurat e prokurimit të këtij institucioni.

Nisur nga këto akuza të Ahmetajt nuk kanë munguar raportimet mediatike dhe pikëpyetjet mbi raportin mes Ergys Agasi dhe biznesmenit Ermal Beqiri si një ndër fituesit kryesorë të tenderave të AKSHI-t.

Lapsi.al ka publikuar të dhëna financiare mbi kompaninë e lidhur me Agasin, duke raportuar fitime të konsiderueshme në një periudhë të shkurtër kohore.

Sipas raportimeve, kompania ka realizuar rreth 3 milionë euro fitime, me shpenzime operative të deklaruara vetëm 100 mijë euro.

SPAK nuk ka dhënë deri më tani asnjë deklaratë zyrtare apo sqarim mbi ekzistencën apo objektin e ndonjë hetimi lidhur me tenderat e AKSHI-t apo lidhjet e dyshuara mes Agasit dhe kompanisë Soft&Solution.

Për momentin, prokuroria ka konfirmuar vetëm se kontrollet janë kryer në kuadër të një “procedimi penal”, pa dhënë më shumë detaje. /skyweb.al


Shtuar 20.06.2025 20:26