Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me oepracionin anti-drogë, të cilin e ka kryer në bashkëpunim me autoritetet italiane.
SPAK njofton se pas një hetimi 2-vjeçar është bërë e mundur të shkatërrohet rrejti dhe të sekuestrohet lënda narkotike e cila kap vlerën e 2.7 milionë eurove.
Konkretisht, lënda narkotike e sekuestruar, e llojit “Kokainë”,“Heroinë”,“Marijuanë”, “Risinë”, është siguruar në Siri, Turqi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, më pas është trafikuar në Greqi, Shqipëri me destinacion Italinë dhe vendet e BE-së.
Njoftimi i SPAK:
Më datë 16.10.2020 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.249, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në formë të posaçme atë të grupit të strukturuar kriminal “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/a, 287 dhe 333/a të Kodit Penal.
Nga shkëmbimi i të dhënave me Autoritetet Italiane të Drejtësisë dhe konkretisht me Prokurorinë e Firences,Itali (Seksioni Antimafia) janë administruar të dhëna për një grup të strkturuar kriminal, që ushtronte aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike nga vendet e Lindjes së Mesme në Shqipëri me destinacion Italinë dhe vende të tjera të BE-së.
Në këto kushte, duke qenë se aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar kriminal shtrihej në dy vendet, Itali dhe Shqipëri, është ngritur një Skuadër e Përbashkët Hetimore midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë dhe Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Firences, Itali, me koordinimin e EUROJUST.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal është konstatuar se të dyshuarit e këtij aktiviteti kriminal kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, duke trafikuar lëndë narkotike nga vendet e Lindjes së Mesme, Turqi, Greqi, si dhe vende të tjera drejt Shqipërisë e më pas me destinacion Italinë dhe vendet e tjera të BE-së.
Në vijim janë evidentuar të gjithë pjesëtarët e këtij grupi kriminal dhe më pas është vijuar me veprime proceduriale proaktive për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal.
Pas një hetimi 2-vjeçar, SPAK në bashkëpunim me Prokurorinë e Firences, EUROJUST, EUROPOL, Reparti i Karabinierisë Compagnia Borgo San Lorenzo (Firence), Policinë e Shtetit, Zyrën e Interforcës Italiane dhe Agjenci të tjera të zbatimit të ligjit, kanë bërë të mundur dokumentimin e aktivitetit kriminal për 21 anëtarë të grupit të strukturuar kriminal, të përfshirë në disa raste trafikimi të lëndëve narkotike nga vende të Lindjes së Mesme, drejt Shqipërisë dhe nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Italisë e vendeve të BE-së.
Konkretisht, lënda narkotike e sekuestruar, e llojit “Kokainë”,“Heroinë”,“Marijuanë”, “Risinë”, është siguruar në Siri, Turqi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, më pas është trafikuar në Greqi, Shqipëri me destinacion Italinë dhe vendet e BE-së.
Gjatë këtij hetimi janë sekuestruar në 8 raste lëndë narkotike të llojit “Kokainë”, “Heroinë”, “Marijuanë”, “Risinë”, “Canabis Sativa”, me një vlerë të përafërt rreth 2.700.000 euro.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur masat e sigurimit personal për 21 persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” , parashikuara nga nenet 283/a, 333/a, 334, 287 e 259 të Kodit Penal.
Me datë 27.06.2023 është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për 20 persona nën hetim dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar një person.
Gjatë ekzekutimit të vendimit të gjykatës janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjete, pajisje kompjuterike, aparate celular, si dhe vlera monetare./albeu.com