Jeton Lami, agjent i Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, ra ditën e djeshme në prangat e policisë.
Gjykata ka dhënë ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Agjenti i Drejtorisë së Forcës Operacionale ka pasur kontakte dhe shoqëri me biznesmenin Ervis Martinaj.
Nga hetim rezulton se 28 vjeçari e ka transportuar Martinajn disa herë nga Lezha në Laç apo në Shkodër gjatë kohës që ai ka qenë në kërkim. Pra, agjenti i Operacionales edhe pse e dinte se biznesmeni i basteve ishte në kërkim, është shoqëruar me të dhe e ka ndihmuar të lëvizë në disa qytete.
Ora News mëson se arrestimi i Jeton Lamit është kryer në zyrën e Drejtorit të Operacionales, ku është thirrur privatisht, që sipas shefave të tij duhej të sqaronte një moment pune. Lami ka shkuar në zyrë tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ku është përballur me shefat.
Ata i kanë bërë me dije nëse kishte qenë ndonjëherë në Durrës në ditët e para të muajit gusht dhe Lami mësohet të jetë përgjigjur se e kishte vizituar qytetin e Durrësit, i shoqëruar me njerëz të afërm të tij.
Pas kësaj, sërish shefat e kanë pyetur nëse 28 vjeçari ishte shoqëruar ndonjëherë me persona në kërkim nga policia dhe prokuroria, por Lami ka treguar se nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Edhe kur është pyetur nëse ishte shoqëruar me Ervis Martinaj, ai përsëri e ka mohuar.
Por në këto momente Jeton Lamit i është kërkuar të shohë një video, në të cilën ai ka parë veten në ambientet e një hoteli në Durrës, ku shoqërohej me biznesmenin e shpallur në kërkim nga SPAK, Ervis Martinaj.
Nga përmbajtja e videos, mësohet se pas qëndrimit disa minuta së bashku, agjenti i Operacionales ka mbetur i vetëm në ambientet e hotelit, ndërsa sipas policisë, Martinaj, është larguar me makinë nën shoqërinë e disa personave të tjerë.
Ky ka qenë momenti i fundit kur është kapur silueta e Ervis Martinaj. Dhe që prej këtij momenti të mbrëmjes së 7 gushtit 2022, nuk gjendet asnjë gjurmë e tij në Shqipëri.
Kujtojmë se mëngjesin e 9 gushtit familjarët e Martinajt i janë drejtuar komisariatit të Kurbinit, duke denoncuar humbjen e kontakteve me biznesmenin e njohur, të shpallur me herët në kërkim.