Disa fëmijë janë helmuar nga ushqimi me përmbajtje salmonele në Gramsh. Ngjarja ka ndodhur në fillim të kësaj jave, ku fëmijët janë paraqitur me shqetësime dhe të vjella në spitalin e qytetit, ndërsa analizat laboratorike kanë treguar se ata janë helmuar. Analizat kanë treguar prani të bakterit salmonelë.
Paraprakisht dyshohet se helmimi ka ardhur nga ushqimi që fëmijët kanë konsumuar në kopshtin shtetëror, i servirur nga një kompani private kateringu. Në lidhje me ngjarjen Drejtoresha e Spitalit të Gramshit, Greta Lena, bën me dije se në spital janë paraqitur disa fëmijë me probleme shëndetësore, por situata është nën kontroll.
Në spital, thotë ajo, janë paraqitur vetëm disa fëmijë, një rast me simptoma më të rënda dhe 2 të tjerë më lehtë. Sakaq, kopshti që ata frekuentojnë i është nënshtruar dezinfektimit.
“Fillimisht në urgjencë është paraqitur një fëmijë me simptoma më të rënda me temperaturë të lartë, diarre dhe të vjella. E referuam për ekzaminime te higjena dhe analizat konfirmuan prezencë të bakterit salmonelë. Më pas në spital mbërritën edhe dy fëmijë të tjerë me simptoma më të lehta frekuentues të kopshtit, ku analizat laboratorike konfirmuan sërish prezencë salmonele. U krye menjëherë dezinfektimi i ambienteve të kopshtit dhe në vijim, të paktën në spital, nuk janë paraqitur më raste fëmijësh me simptoma”- u shpreh drejtoresha e spitalit të Gramshit, Greta Lena.