Disa fëmijë të një kopshti publik në qytetin e Gramshit u shtruan në spital me simptoma të helmimit ushqimor gjatë kësaj jave. Dyshimet e para të mjekëve dhe prindërve janë se kjo ka ndodhur nga salmonela, një bakter ky mjaft i rrezikshëm që zakonisht përhapet përmes ushqimit të kontaminuar ose higjienës së dobët.
Ndërsa fëmijët “luftuan” për disa ditë me ethe, të vjella dhe diarre të forta, institucionet përkatëse, nga drejtoria e kopshtit, tek autoritetet shëndetësore dhe ato vendore, kanë ofruar pak informacion.
Ngjarja ka ndodhur të martën, kur disa prindër raportuan se fëmijët e tyre ishin kthyer nga kopshti me temperaturë të lartë dhe shqetësime gastrointestinale. Brenda 24 orëve, të paktën 12 fëmijë u paraqitën në spitalin e Gramshit, ndërsa disa prej tyre u mbajtën nën kujdes intensiv pediatrik për shkak të dehidratimit.
Burime brenda spitalit thonë se simptomat janë të ngjashme me helmimin nga salmonela, por analizat laboratorike të plota janë ende në proces. Mostrat janë marrë nga ushqimi i shërbyer në kopsht, si dhe nga uji dhe ambientet e kuzhinës. Një nga pistat kryesore të hetimit është furnizuesi i ushqimeve me katering për institucionin në fjalë.
Sipas dokumenteve të siguruara kopshti ka një kontratë me një operator privat për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit. Ky subjekt dyshohet se ka rezultuar më parë me shkelje të rregullave higjeno-sanitare gjatë një inspektimi të AKU-së në vitin 2023, por ka vijuar të operojë normalisht.