Procesi i gjykimit të katër liderëve të UÇK-së në Hagë ka arritur shifra marramendëse. Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Baton Haxhiu tha se vetëm për mbrojtjen e krerëve janë shpenzuar rreth 60-80 milionë euro. I gjithë procesi ka arritur në 2.4 miliardë euro, shifër që e shtangu Blendi Fevziun.
Blendi Fevziu: Sa qindra milionë euro ka shkuar deri tani gjykimi?
Baton Haxhiu: Nuk jam i saktë, por është diku prej 60-80, me siguri.
Blendi Fevziu: 60-80 milionë euro.
Baton Haxhiu: Vetëm me mbrojtje.
Blendi Fevziu: Jo, jo, gjithë procesi me gjykatësit, prokurorët.
Baton Haxhiu: 2.4 miliardë deri tani, 2.4 miliardë ka shkuar i gjithë procesi.
Blendi Fevziu: 2.4 miliardë euro për të dënuar 4 vetë të UÇK-së?
Baton Haxhiu: Saktë. Bashkimi Europian vitin e parë ka ndarë 700 milionë.
Blendi Fevziu: T’i kishin ndarë për fëmijët në Gaza, t’u jepnin bukë. Sa paguhet një prokuror?
Baton Haxhiu: Me gjithë nevojat që ka, me fëmijët, shtëpinë e gjithë të tjerat veç pagës, shkon diku te 300-350 mijë viti.
Blendi Fevziu: 350 mijë euro viti?
Baton Haxhiu: Po.
Blendi Fevziu: Ata mund ta çojnë gjykimin 15 vjet, pse jo?
Baton Haxhiu: Këtu hetuesit paguhen më së shumti për arsye se ata eksplorojnë në terren dhe kanë punuar gati 2 vite para se të formohet Gjykata Speciale. Mund ta mendoni sesa ka shkuar ai hulumtim për të gjetur gjithë ata dëshmitarë, për t’i paguar, për t’u gjetur strehim nëpër Europë për të qenë dëshmitarët e mbrojtur. 2.4 miliardë është zyrtarisht që BE i ndan në buxhetin e saj për Gjykatën Speciale.