Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë dhënë detaje lidhur me vendimin për modifikimin e dënimit të Haxhi Shalës, i cili i hapi rrugë lirimit të tij me kusht.
Sipas njoftimit zyrtar, më 2 shkurt 2026, Kryetarja e DHSK-së, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e Shalës, duke përcaktuar kushte që do të zbatohen për pjesën e mbetur nga dënimi prej tre vjetësh.
Pas këtij vendimi, Haxhi Shala u lirua dhe u kthye në Kosovë më 10 shkurt 2026.
Sipas njoftimit thyhet se kryetarja Trendafilova mori parasysh disa faktorë, përfshirë shenjat e rehabilitimit të treguara nga Shala gjatë vuajtjes së dënimit.
Ajo theksoi se Shala i kishte drejtuar një letër personale, të shkruar me nismën e tij dhe pa ndihmë ligjore, në të cilën shprehte keqardhje për pasojat e veprimeve të tij ndaj personave që mund të kenë pësuar dëm.
Gjithashtu, u vlerësuan marrëdhëniet e tij pozitive familjare, mjedisi i qëndrueshëm i jetesës dhe rrjeti i gjerë shoqëror, të cilat, sipas gjykatës, tregojnë një perspektivë të arsyeshme për rehabilitim dhe riintegrim shoqëror.
Megjithatë, Kryetarja theksoi se veprat penale për të cilat Shala u shpall fajtor janë të rënda, por konstatoi se letra e tij përbënte një shenjë të distancimit të sinqertë nga veprimet kriminale, pas një periudhe reflektimi.
Nga DHSK-ja u sqarua gjithashtu se procedurat për uljen, modifikimin apo ndryshimin e dënimit, të parashikuara në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara, janë procedura individuale dhe se vuajtja e dy të tretave të dënimit nuk garanton automatikisht uljen apo ndryshimin e tij, por vetëm mundëson shqyrtimin e një kërkese të tillë.



