Harta e re gjyqësore, Haxhia: Do të rritet zbatimi i kanunit

13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit, i cili ka krijuar debate në shoqërinë civile.

Në lidhje me këtë avokati Maksim Haxhia thotë në emisionin “Log” me gazetar Endri Xhafo në Abc, se harta e re gjyqësore do të krijojë probleme.

Përpos legjislacionit thotë se reduktimi i gjykatave do të krijojë probleme dhe në çështjet praktike.

“Do të krijojë probleme të jashtëzakonshme. Të pandehurit do të flenë në këmbë në komisariat sepse nuk ka dhoma. Asnjëherë të mos kalojmë nga një ekstremi te tjetri. Harta e re gjyqësore ul gjykatat por rrit zbatimet e kanunit. Ne e shohim si një fenomen që do të ndodhë, bashkë me korrupsionin”, tha Haxhia.

Gjithashtu avokati tha në Log se Gjykatat e Kavajë, Kurbinit dhe Lushnjës nuk duhet të shkriheshin, pasi ato janë të domosdoshme.

Ndërkohë gazetari Lutfi Dervishi tha se në vendin tonë kurrë nuk flitet për pasojat afatgjata të vendimeve që shteti merr. Sipas tij në vendin tonë për tu zgjidhur problemet ose ndryshohet ligji, ose kushtetuta, gjë që tregon paqëndrueshmërinë dhe mungesën e besueshmërisë në institucionet tona, duke përfshurë dhe ato gjyqësore.

“Sot e kësaj dite nuk flasim kurrë se çfarë do të bëhet sot e pesë vite. Çdo problem që ka ose do ndryshosh ligjin, ose do ndryshosh kushtetutën. Reformën në drejtësi e kanë votuar 139 deputetët. Bashkë me të thatin është djegur dhe i njomi si pasojë e reformës në drejtësi, sikundër nuk kanë ikur dhe disa që duhet të kishin ikur’, tha Devishi./abcnews.al

Shtuar 16.06.2022 22:37