Nga Agim Baçi
Sa herë më shfaqet “Dita e Shiritit të Zi”, që është Dita Evropiane e Kujtesës, më vijnë ndërmend pyetjet e socilogut të famshëm polak, Zygmunt Bauman, i cili në në librin e tij “Holokausti dhe moderniteti”, pasi shpreh shqetësim lidhur me atë çfarë ka ndodhur me holokaustin, pyet: bota moderne e sheh vetëm si një të shkuar, si një çast çmendurie, sikur i përket vetëm një segmenti shoqëror, apo si diçka që mund të përsëritet nëse nuk e lexojmë si duhet?
Por në fakt, ne si shoqëri, si e kemi parë të shkuarën tonë nën diktaturë: vetëm si fragment, si një lajthitje çasti që mbetet vetëm në një pjesë të historisë sonë, apo si diçka që ka vijuar të na ndikojë në përditshmërinë tonë edhe sot?
Në Shqipërinë e pas vitit 1990, nga dëshira për të vrapuar drejt asaj që na kish munguar në diktaturë, u praktikua ajo që Bauman e quan “vetëshfajsim historik”. Në Shqipëri vetëshfajësimi historik u mbështet më së shumti përmes slloganene “ashtu ishte koha” apo “gjithkush nga ne mund të kishte gabuar” – qëndrime këto që çuan një pjesë të shoqërisë shqiptare deri në mosdashje për të dëgjuar çfarë kish ndodhur realisht gjatë diktaturës, duke e lënë të keqen të bredhë lirisht rreth nesh.
Si pasojë e këtij “vetëshfajsimi” u krijua, në jo pak raste, ideja sikur debati mbi të shkuarën është thjesht një çështje historie dhe se i përket studiuesve të historisë apo politologjisë. Pasojat e kësaj sjellje “vetëshfajësuese” në Shqipëri i kanë vujatur jo vetëm ish të burgosurit politikë dhe ish pronarët, të cilët në shumë raste kanë mbetur ende viktima, pa rehabilitimin e duhur që shoqëria ua kish borxh.
Mjafton të shohim sjelljen e qeverive të pas vitit 1991 në Shqipëri, të mbështetura mbi slloganin “bashkëfajtor-bashkëvuajtës”, për të kuptuar se, përse disa vite më pare, disa sondazhe të mbështetura nga OSBE, sollën shifra alarmante të nostalgjikëve të ish diktaturës, shifra që mund të jenë rritur edhe më shumë aps zhgënjimit me partitë e krijuara në Lëvizjen e Dhejtorit ’90.
Por, a jemi vonë ne për të debatuar për të shkuarën tonë, siç pretendon një pjesë e shoqërisë? Sociologët që janë marrë me studimet e krimeve, duke iu referuar nazizmit, fashizmit, e sidomos regjimeve totalitare që shfarosën miliona qytetarë, kryesisht të pafajshëm, shprehen se, nëse nuk e shohim atë të shkuar kriminale si një tentative e përhershme të së keqes, si në tentativë për të përmbysur vlerat shoqërore, atëherë do të jemi nën rrezikun e asaj të keqeje vazhdimisht.
E për aq kohë sa nuk e mendojmë si realitet i së shkuarës sonë, nuk do të mundet dot ta zbojmë, por thjesht do të shtojmë nihilizmin tonë ndaj asaj të shkuare, e cila tashmë është rikthyer thuajse fitimtare.
Të paktën, duhej që t’i kthjejmë një përgjigje pyetjes së shtruar nga politologu dhe filozofi francez, Chanta Millon –Delsol, i cili pyet: cila ishte ajo forcë që bëri bashkë inteligjencën e vendeve ish- komuniste, madje edhe elitën në mjaft shtete perëndimore, për të mbështetur apo simpatizuar regjimet totalitare, kriminale, që shfarosën miliona të pafajshëm?
Një përgjigje e ka dhënë nobelisti polak Çesllav Milosh, në librin e tij “Mendja e robëruar” kur shprehej se, “është dëshira jonë e brendshme për të mos besuar se njeriu mund të arrijë në krime aq të tmerrshme”.
Pra, kemi harruar që fara e së keqes për një shoqëri fshihet pas harresës.
Fatkeqësisht ne mund të rrezikojmë ta rishkruajmë historinë pas shumë nga dëshmitarët e së shkuarës, gjë që mund të humanizojnë të keqen, duke e bërë normale atë që ka ndodhur me gjyshërit dhe prindërit tanë.
Kjo tendencë, nuk ka qëllim që të rishkruajë vetëm të shkuarën, por edhe të kërkojë të kontrollojë të ardhmen sipas të njëjtës ideologji.
Kjo është pasoja kur ne rrezikojmë të kalojmë të shkuarën me “krimet e askujt”, duke mbetur e vetmja shoqëri që nuk kemi të penduar, e, për pasojë, as ata që mund të falnin ata që në emër të diktaturës bënë krime për ta mbajtur gjallë atë sistem çnjerëzor. /albeu.com