Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar përparimin e shpejtë të Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim, duke e cilësuar si një nga shembujt më pozitivë të këtij procesi në rajon.
Në prani edhe të kryeministrit Rama, ajo konfirmoi se sipas planit të përbashkët me autoritetet shqiptare, të gjithë kapitujt pritet të hapen deri në fund të vitit 2025, ndërsa qëllimi mbetet mbyllja e plotë e negociatave deri në vitin 2027.
“Shqipëria ka ecur kaq shpejt. Kur erdha në dhjetor thuajse gjithçka ishte e kuqe. E kuqja tregon që nuk është hapur ende, e verdha që është hapur dhe e gjelbra që është mbyllur provizorisht. Mesa duket sapo kemi çelur nje tjetër grupkapitull. Sipas planit, do ti hapim të gjitha deri në fund të vitit dhe mbështes planin tuaj për ti mbyllur negociatat, që do të thotë të jenë të gjitha me ngjyrë të gjelbër deri në vitin 2027 dhe pastaj, sigurisht t’ju kemi në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Marta Kos.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos : Ju lutem, ejani, bashkohuni me ne, na duhet audiencë.
I dashur Edi, ky është muri i zgjerimit. Sigurisht, tani jemi të përqendruar te kjo pjesë, sepse ky është vërtet një përjashtim i mënyrës si e bënim këtë. Shqipëria ka ecur kaq shpejtë! Kur erdha në dhjetor, thuajse gjithçka ishte me të kuqe. E kuqja tregon që nuk është hapur ende, e verdha që është hapur dhe e gjelbra që është mbyllur provizorisht.
Kryeministri Edi Rama: Atëherë duhet të vendosim të verdhat aty.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos: Po, sigurisht.
Mesa duket sapo kemi çelur një tjetër grupkapitull. I dashur Kryeministër, i dashur Edi, keni nderin që ndërsa unë heq të kuqen, ju do të vendosni ngjyrën e re.
Kryeministri Edi Rama: Në rregull.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos: Le t’i heqim. Një, dy, tre, katër.
Kryeministri Edi Rama: Katër. Kanë mbetur edhe pesë dhe çelen të gjitha.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos: Dhe, sigurisht, do ta bëjmë brenda këtij viti, sipas planit dhe e mbështes fort planin tuaj për të mbyllur negociatat, që do të thotë, të jenë të gjitha me ngjyrë të gjelbër deri në vitin 2027 dhe, pastaj, sigurisht, t’ju kemi në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Për mua është thellësisht mbresëlënës përkushtimi, juaji personalisht – sepse kjo lidhet me drejtimin – dhe i ekipit, që po ecën mirë; jo vetëm ju, por i gjithë ekipi. Urime, edhe njëherë. Është vërtet privilegj për mua të punoj me ju.
Kryeministri Edi Rama: Nderi është i gjithi i yni. Edhe unë dua të falenderoj ekipin tuaj në Shqipëri, që na rri gjithmonë “mbi kokë”, për t’u siguruar që të mos shpërqendrohemi dhe që të mos mendojmë në përmasë më të madhe për veten nga ç’duhet.