“Hapi i radhës janë armët”, kërcënohen sërish të dhunuarit nga fisi Rraja, ende në arrati 5 persona

Bilbil dhe Jashar Maja u dhunuan barbarisht nga anëtarë të fisit Rraja në Borizanë të Krujës dhe shkak u bë një gurore. Teksa dhunuesit ndodhen ende në arrati, familjarët e tyre vijojnë të kërcënohen më mesazhe në rrjetet sociale ku u thuhet se dhuna për ata është pak dhe hapi i radhës janë armët. Këto mesazhe janë dorëzuar në policinë e Fushë Krujës dhe pritet që prokuroria e Tiranës të nisë hetimet.

Mesazhet janë dërguar me adresa false të cilat po hetohen nga agjentët e krimi kibernetik të kryeqytetit.

Gjatë kësaj fundjave policia ka ushtruar disa kontrolle për arrestimin e 6 personave ende në kërkim për dhunimin e Bilbil e Jashar Majës por ende pa rezultat. Ende në kërkim për ngjarjen vijojnë djali i deputetit Rexhep Rraja si dhe Petrit, Xhelal e Flamur Rraja si dhe 2 të afërm të tyre.

Një ditë më parë gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Ineid e Andi Rrajën si dhe Eni Kullajn, të arrestuar të nesërmen e ngjarjes, ndërsa për pronarin e lokalit u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Nga ana tjetër prokuroria e kryeqytetit po kryen hetimet mbi kallëzimet e kryera që në maj nga banorët e Borizanës për shkatërrim prone pasi shtëpitë e tyre kanë pësuar krisje nga shpërthimi i minave në gurore.

Pikërisht për këtë mosmarrëveshje të adresuar autoriteteve muaj më parë ndodhi dhe konflikti në një lokal paraditen e 6 korrikut./Albeu.com.


Shtuar 10.07.2023 15:37